Veliaj: Tirana ka hyrë në stinën e investimeve, ja projektet infrastrukturore

30/04/2018 12:39

Tirana ka hyrë në stinën e investimeve. Gjatë analizës vjetore të drejtorive të punëve të qytetit, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dha lajmin e mirë të ndërtimit të rrugës hyrëse në Tiranë në zonën e Kombinatit.

Duke kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve për shkak të ecurisë së punimeve, Veliaj theksoi se shumë shpejt do të fillojë ndërtimi i rrugës së re nga Fabrika e Miellit deri në Kombinat e cila do të ketë të gjitha standardet.

“U kërkoj qytetarëve mirëkuptim që ne jemi lëshuar në gjithë qytetin për të bërë asfaltin, për të bërë vijëzimet. Shumë shpejt do të fillojë rruga e re nga Fabrika e Miellit, pra nga Shkolla Teknologjie në Kombinat që do të behet me korsitë respektive”, tha Veliaj.

Por rruga e Kombinatit nuk do të jetë investimi i vetëm që do të realizohet gjatë kësaj vere në kryeqytet. Një sërë ndërhyrjesh dhe investimesh të rëndësishme do të ndodhin në zonën e Astirit, Kasharit, Yzberishtit, Yrshek, zona e Freskut etj. Për shumë vite zona të lëna në harresë dhe ku nuk ishte menduar për infrastrukturë, shumë shpejt këto lagje të reja të Tiranës do të transformohen tërësisht.

“Shumë shpejt do të fillojmë dhe ndërhyrjet në zonën e Astirit, të Kasharit, Yzbersishtit, Yrshekut. Një zonë e lënë pas dore, një zonë e ç’organizuar nga komuna e cila jepte vetëm pallate, por nuk linte vend për kopsht, për shkolla, për çerdhe, për kënde lodrash. Me këtë sinjalizojmë një fillim ndërhyrjesh në të gjithë zonat e periferisë, siç mund të jetë Fresku apo Liqeni i Thatë”, tha ai.

Lajm i mirë është dhe ai për rehabilitimin e unazës së tretë të qytetit. “Po këtë vit fillojmë një rehabilitim total të Unazës së Tretë të Qytetit , që është unaza klasike. Do të ketë një tapet të ri e gjithë unaza, vijëzime dhe sinjalistikë”, siguroi Veliaj.

Duke analizuar punën e deritanishme, Veliaj vlerësoi projektin e nisur për ndërtimin e 20 shkollave të cilat do të shërbejnë edhe si qendra komunitare pas mësimit.

Një tjetër sukses i këtij viti për Bashkinë e Tiranës ishte edhe fushata e mbjelljes së pemëve të reja duke kontribuar për një mjedis të shëndetshëm edhe për brezat e ardhshëm.

Veliaj u ndal edhe tek situata e pastrimit në kryeqytet, ku për të mbajtur pastër qytetin, është punuar edhe për sensibilizimin e qytetarëve dhe të bizneseve. Veliaj paralajmëroi të gjithë ata që do të dëmtojnë apo të hedhin mbetjet në rrugë, do të mbajnë përgjegjësi.

“Ka ardhur koha që ne ta ndryshojmë pak situatën. Tirana sigurisht është më pastër, por do të na duhet që përveç të pastrojmë, edhe të sensibilizojmë. Ne disa herë sensibilizimin e kemi bërë me gjobë. E kemi bërë disa herë dhe nuk do të hezitojmë. Nëse një lokal i cili bën xhiro përton të kalojë rrugën për te koshi, sigurisht që do ta identifikojmë. Dikush që bën pis duhet të mbajë dhe përgjegjësinë”, tha ai, teksa shtoi se Tirana është një nga qytetet më të pastra në Europën Juglinore.

Veliaj u bëri thirrje edhe tregtarëve të vegjël që të shkojnë në tregjet e hapura nga Bashkia e Tiranës, të cilët ofrojnë të gjithë kushtet e nevojshme, por njëkohësisht edhe mbajnë pastër qytetin. “E di që ka njerëz që thonë po unë ku do shes? Kjo është arsyeja se pse Bashkia e Tiranës ka mbi 22 tregje. Por nëse ka ndonjëri nga ju që di ndonjë qytet në botë , që ka shpëtuar nga varfëria ose njerëzit janë shtrirë në tokë ma thoni dhe hajt ta bëjmë. Nëse duam ta bëjmë si Bashkimi Europian, hajde ta bëjmë si në Europë dhe nuk ka nevojë që ta bëjmë histeri, për sa kohë që Bashkia ka tregje dhe duhet të mbajmë trotuaret e lira”, tha ai.

Në shenjë mirënjohje për punë e palodhur për t’u kujdesur për qytetin, kryebashkiaku Veliaj shpërndau edhe disa certifikata mirënjohjeje për disa punonjës të DPN1, DPN2 dhe DPN3.

Top Channel