“Gjithë prona këtu është 22 mijë metra, 11 mijë metra i ka marrë Alket Hyseni dhe 11 mijë metra janë ndarë ndërmjet Arian Hasanit, Ilia Takës dhe Gent Malkos”, tha më 25 mars Irini Bua.
Zonja që u përfshi në një betejë ligjore dhe mediatike për tokat në bregdet përmendi emrat e dy politikanëve, Alket Hyseni deputet i Partisë Socialiste dhe Genti Malko nga Partia Demokratike.
Malko në Partinë Demokratike është anëtar i kryesisë dhe drejtues i Departamentit për pronat prej disa kohësh dhe mbase edhe hartues i deklaratave që akuzojnë të majtët dhe qeverinë për abuzim me pronat.
Por prania e demokratit Genti Malkos si pronar bashkë me socialistin Alket Hysenaj, në një copë tokë prej 11 mijë metrash katrore në breg të detit në Dhërmi, ka mbetur e pakomentuar nga ana e partisë ku ai bën pjesë, demokratët dëgjuan vetëm emrin e kundërshtarit.
“Prokuroria nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të hetuar këtë peshk të madh që i ka rënë pak si rastësisht në rrjet”, tha Flamur Noka më 23 mars.
Nga ana tjetër, socialistët reaguan dhe i kërkuan anëtarit të grupit të tyre parlamentar që të sqaronte çështjen e tokës dhe akuzave që i bëhen nga zonja Irini Bua. Prokuroria po heton çështjen, si regjistrim pa emër dhe deri tani prokurorët kanë në dorë edhe kontratat e shitblerjes së tokës ku ndodhet edhe emri i anëtarit të kryesisë së PD, Gent Malkos, përkrah deputetit Alket Hyseni.
Top Channel