Kryenegociatori i Bashkimit Europian për “Brexit” paralajmëroi se bisedimet me Mbretërinë e Bashkuar janë në rrezik, nëse Londra nuk zbut qëndrimin e saj për çështjen e kurifit me Irlandën.
Michel Barnier tha se nuk as pesimist dhe as optimist për situatën, por i vendosur se të dyja palët mund ta kalojnë ngërçin e radhës.
Megjithatë, ai përsëriti deklaratat e mëparshme se, nëse Britania nuk vjen me propozime të reja për të shmangur kufirin fizik me Irlandën, deri në mbledhjen e Këshillit të BE-së në qershor, bisedimet e mëtejshme rrezikojnë të dështojnë.
“Derisa të arrijmë marrëvëshjen dhe zgjidhjen operacionale për Irlandën e Veriut, ku jemi të gatshëm për çdo propozim, ka një rrezik real që bisedimet të dështojnë”, deklaroi Barnier, duke shtuar se unioni duhet të jetë i përgatitur edhe për këtë skenar.
BE-ja dhe Irlanda thonë prej kohësh se nuk kanë asnjë qëllim të kontrollojnë territorin e Irlandës së Veriut, por një nga propozimet është që kjo zonë të mbetet pjesë e doganave të unionit dhe nën ndikimin e Gjykatës Europiane pas “Brexit”-it, diçka që konsiderohet e papranueshme nga Londra.
Ka disa opsione për kufirin mes Irlandës dhe Irlandës së Veriut, ku më i preferuari nga palët është ai i një kufiri të padukshëm dhe pa kontrolle. Por, kjo do të kërkonte një marrëveshje të detajuar të tregtisë së lirë me Britaninë, gjë që shumë mbështetës të “Brexit”-it e shohin si të papranueshme, pasi thonë se Londrës do t’i duhej të pranonte rregullat e Unionit edhe pas daljes nga BE-ja.
Top Channel