Kritiku i Bashës që u duartrokit. Elezi: Tentuan të më quajnë njeri të Ramës

30/04/2018 20:07

Nuk u fishkëllye, përkundrazi u duatrokit, edhe pse akuzoi me emra drejtuesit më të lartë demokratë dhe deputetin e zonës së tij elektorale.

Ibsen Elezi u bë viral në rrjetet sociale pas fjalës që mbajti në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike. Anëtarësinë e preku thirrja kundër katapultimeve dhe për nevojën e karrierës me meritë dhe kontribute në Partinë Demokratike.

“Njerëzit merren nga rruga e bëhen drejtues të lartë, pa pasur formimin, përvojën dhe kontributin. Kjo demoralizon të tjerët”, thekson Elezi.

Ai është anëtar i Këshillit Bashkiak të Kukësit, ndërsa deri në vitin 2013 drejtonte degën e Partisë Demokratike edhe drejtorinë arsimore atje. Vetë ai thotë se nuk kërkon asgjë më shumë nga ç’ka pasur në parti, por tregon si e ka nisur.

“26 dhjetor i vitit 1990. Im atë ishte i autorizuar për të themeluar Partinë Demokratike në Kukës dhe mbaj mend që së bashku me djalin e xhaxhait kam ruajtur parrullën e parë të PD-së, ku u bëhej thirrje njerëzve që të anëtarësoheshin”, kujton Elezi.

Sot, sipas tij, Partia Demokratike ka shumë probleme dhe nuk kishte pritur vetëm katër diskutime në Kuvend. Edhe bojkoti i kritikëve nuk ishte me vend.

“Fjala është e shenjtë në Partinë Demokratike. Për mua, ata duhet të ishin për të dhënë argumentat e tyre. Duhet të vazhdojnë të japin kontributin sepse janë pjesë e kësaj partie”, thotë Elezi.

Dikur mbështeste Sokol Olldashin. Ndërsa dashuria për Luzim Bashën ka dritë-hijet e veta. Zhgënjimi i fundit është pas protestës në “Rrugën e Kombit”, që, sipas tij, individë në PD donin ta sabotonin. Ibsen Elezi tha se u akuza si njeri i Edi Ramës nga deputeti Noka dhe kryetari nuk reagoi.

“Pjesëtarë të shoqërisë civile e kishin pikë në zemër që nuk morën pjesë në protestë. Kur i pyeta se pse nuk erdhën, më thanë që i kishte marrë në telefon Flamuri dhe u kishte thënë që të mos shkonin, pasi ata janë disa këshilltarë të djathtë që janë shitur te Edi Rama. Ishte akuzë e rëndë dhe kam qeshur”, u shpreh Elezi.

Si një prej organizatorëve të protestës, sytë i ka nga gjykata për lirimin e 4 kuksianëve, ndërsa në Kukës kthehet i duartrokitur.

Top Channel