Policia spanjolle i dha një goditje të fortë mafies shqiptare në vend, përmes një operacioni të realizuar në bashkëpunim me DEA-n amerikane dhe Drejtorinë kolumbiane të Narkotrafikut, të koordinuar nga EUROPOL-i.
Një ton kokainë dhe 1.55 milionë euro u sekuestruan gjatë goditjes së fortë të dhënë bandave mafioze shqiptare, të cilat lëviznin sasi të mëdha kokaine nga Kolumbia në rrugë ajrore, e për shpërndarjen e saj përdornin grupe kriminelësh spanjollë, njohës “të jetës së natës”.
Droga kalohej në valixhe të mëdha të zeza, nën maskimin e shërbimeve të një kompanie që merrej me transport. Pesë persona kanë përfunduar në pranga në vazhdën e aksionit, që pasoi një hetim të nisur në muajin nëntor.
Pas disa verifikimesh, agjentët ranë në gjurmët e organizatës kriminale të drejtuar nga shqiptarë që jetonin në Spanjë, e që kishin arritur të fusnin në vend sasi të mëdha kokaine nga Kolumbia përmes fluturimeve “Charter”.
Agjentët kishin mundur të zbulonin se krerët e grupit ishin zhvendosur në Spanjë me qëllimin të krijonin aty një pikë hyrëse të drogës në Europë. Hetuesit arritën madje të binin në gjurmët e një ngarkese lëndësh narkotike, e cila po ruhej në Madrid për t’u shpërndarë më vonë.
Pikërisht këtu vunë re se ajo ishte fshehur në valixhe të mëdha të zeza. Pas ndërhyrjes u arrit të sekuestroheshin 790 pako, që përmbanin një ton kokainë, dhe shumën marramendëse të parave, që mbaheshin në një valixhe si pagesë për transportin e drogës.
Operacioni kulmoi në Madrid me arrestimin e dy shqiptarëve, përgjegjësi kryesor dhe njeriu i tij i besuar, si dhe dy spanjollë të skeduar në polici, të cilët ishin ngarkuar me detyrën e logjistikës, mbledhjen dhe transportimin e drogës. Në pranga ka përfunduar edhe kreu i grupit, që furnizonte lëndën narkotike në Kolumbi.
Top Channel