Mesha e Patriarkut të Rusisë, qindra besimtarë në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”

29/04/2018 09:22

Katër vite më parë, kur u bë përurimi i Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, Patriarku rus Kiril ishte i vetmi përfaqësues i klerit ndërkombëtar ortodoks që nuk ishte i pranishëm.

Në Katedralen Ortodokse që ai viziton për herë të parë, të dielën e fundit të muajit prill u mbajt një meshë në nder të tij, ku morën pjesë qindra besimtarë.

Anastasi dhe Kiril, gjatë meshës dhanë shumë mesazhe falenderimi, ndërsa Patriarku rus, gjatë fjalës së tij theksoi edhe ndihmën që kryepeshkopi Anastas ka dhënë për shqiptarët e Kosovës gjatë kohës së luftës.

Ardhja e Patriarkut rus, për Kishën Ortodokse Shqiptare është e një rëndësie të veçantë, sepse vuloset më tej emërtimi i të dyjave si kisha simotra, por gjithashtu edhe barazia e Kishës Ortodokse Shqiptare me kishat e këtij besimi në botë.

“Kisha jonë, edhe pse me një numër të vogël besimtarësh, sërish ka pozitën e saj, është e barabartë midis kishave të tjera. Hierarkia kishtare e çdo kishe ortodokse lokale është e barabartë, pavarësisht se kishat lokale kanë udhëheqësit e tyre fetarë, krerët e tyre hierarkik, mbetet një kishë ortodokse në të gjithë botën, është Kisha e shenjtë Katolike dhe Apostolike”, tha At Grigor Pelushi.

Por, ku dallojnë ato nga njëra-tjetra? Më shumë sesa dallime, Kisha Autoqefale Shqiptare me atë ruse kanë më shumë ngjashmëri, për shkak të vështirësive që kanë kaluar ndër vite.

“Edhe ajo është një kishë martire, siç është kisha jonë apo të gjitha komunitetet tona këtu. Edhe ajo vuajti shumë në periudhën e bolshevizmit. Ishin me mijëra priftërinj e murgesha që u vranë në kohën e bolshevizmit, por gjithashtu kujtojmë këtu sesi u vranë edhe priftërinjtë tanë ortodoksë, katolikë apo hoxhallarët tanë. Patriarku besoj se ia kushton këtë vizitë të veçantë kësaj kishe për shkak të vuajtjeve dhe persekutimeve që kanë hequr të dyja kishat në shekullin e XX”, tha më tej At Grigor Pelushi.

Patriarkut rus Kiril i janë rezervuar pritje nga krerët e lartë të shtetit shqiptar, ndërsa në ditën e tretë dhe të fundit në Shqipëri, ai do të vizitojë edhe Manastirin e Shën Vlashit në Durrës, përpara se të largohet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA