Të afërmit e pacientëve të shtruar në Spitalin e Lushnjes ankohen se ilaçet janë të detyruar t’i blejnë jashtë.

“Kam nënën të shtruar në spital dhe ilaçet po i blej te farmacia. Doktoresha tha se nuk ka ilaçe për momentin”, shprehet një qytetar.

“Ilaçe nuk gjen në spital, vetëm serum. Spitali është zero këtu në Shqipëri”, thotë një tjetër.

Nëndrejtori i Spitalit të Lushnjes mohon të ketë mungesa të tilla, por pranon se ka një pakësim medikamentesh pas datës 15 prill, periudhë kjo kur pritet furnizimi prej fituesve të tenderave në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Në përgjithësi, Spitali i Lushnjes i ka patur gjithmonë pothuajse të gjitha ilaçet. Pas datës 15 prill kanë filluar që të pakësohen dhe po presim furnizimet e reja”, sqaron Sami Osmani, nëndrejtor i spitalit.

Spitali i Lushnjes u shërben mbi 200 mijë banorëve të Lushnjes dhe pacientëve nga Kavaja, Rrogozhina dhe Berati.

Top Channel