Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në fjalën e tij në Kuvendin Kombëtar të kësaj partie deklaroi se qeveria ka dështuar, por “edhe ne nuk ia dolëm për t’i dhënë vendit zgjedhje të lira e të ndershme”.
“Ne nuk ia dolëm për t’i dhënë vendit zgjedhje të lira e të ndershme; nuk ia dolëm që trafikantët e drogës t’i çonim prapa hekurave. Unë i pranoj gabimet e mia, nuk dua të zbeh përgjegjësinë time. Por, kam pasur qëllime të mira për t’i shërbyer njerëzve. Duke mësuar nga gabimet, do e kthejmë Partinë Demokratike në parti fituese”, deklaroi Basha.
“Të gjithë e dinë se punët po shkojnë keq, shoqëria është e pashpresë dhe ekonomia është katastrofë. Shqipëria nuk do t’i harrojë lehtë këto vite. Ajo që na bashkon sot është dashuria për vendin dhe aspirata për ta parë atë si gjithë Europa. Qeveria ka shkatërruar ekonominë, arsimin, shëndetësinë dhe ka shkretuar Shqipërinë, duke detyruar shqiptarët që të marrin rrugët e mërgimit. Qeveria ka braktisur njerëzit dhe ka kthyer vendin përmbys me reformën territoriale që vetëm qytetarëve nuk u shërben. Por, sot të shikojmë njëri-tjetrin në sy e të themi KURRË MË! Jemi gati për të nisur një tjetër rrugëtim të madh për PD-në dhe Shqipërinë europiane me besim te vetja dhe vlerat që ndajmë me njëri-tjetrin”, shtoi Basha.
Lulzim Basha u bëri thirrje kundërshtarëve të tij në parti që të bashkohen për të kontribuar, duke theksuar se ky bashkim nuk do të bëhet për pazare.
“Gjatë muajve të fundit ka pasur edhe akuza dhe sulme personale. Kam zgjedhur të jem më i duruar dhe i matur që të mos i përgjigjem sulmeve. Dua sot t’i shtrijë dorën atyre që dëshirojnë të kontribuojnë dhe të bashkohen me ne për t’i kthyer këtij vendi shpresën. Dora ime do të jetë e shtrirë jo për pazare, as për poza, por për të ndërtuar ura bashkëpunimi”, tha Basha.
Më tej, Basha theksoi: “Sot në Shqipëri plaçkitet me ligj; sot në Shqipëri trafikohet me ligj; sot në Shqipëri shkatërrohet me ligj. Këtë realitet Edi Rama nuk arrin ta fshehë më me bojën e skaduar të propogandës. “Transparancy International” e ka renditur Shqipërinë si një nga vendet më të korruptuara të botës, duke e ulur renditjen e saj në vendin e 91, baraz me Suazilandin. Banka Botërore deklaron se rreth 1 milion shqiptarë mbijetojnë me rreth 5 dollarë në ditë dhe se vetëm si pasojë e taksave, popullsia shqiptare që jeton me më pak se 4 dollarë në ditë, është rritur nga 22.6% në 29.1%. Kjo do të thotë se taksat e Edi Ramës vetëm rrisin varfërinë dhe pabarazinë dhe pasurojnë vetëm një grusht njerëzish”.
Basha e cilësoi kryeministrin Edi Rama si “triumfin spektakolar të së keqes në Shqipëri”.
“Simboli më i turpshëm i kësaj qeverisjeje është ai që i përzgjodhi me dorë kriminelët dhe i solli në Parlament, në zyrat e shtetit, në krye të bashkive, në Policinë e Shtetit… Është ai që ka nën kontroll mediat në vend, që ka futur nën hyqmin e vet prokurorinë, që përfiton miliona nga korrupsioni dhe trafiku i drogës, që darkon dhe drekon me kriminelët, që nuk dëgjon më asnjeri, që e kam mendjen vetëm tek vetja. Është Edi Rama. Edi Rama është triumfi spektakolar i të keqes në Shqipëri”, u shpreh kreu i Partisë Demokratike.
Top Channel