Bankier dhe piktor, ekspozita me 41 tablo në Muzeun Historik Kombëtar

29/04/2018 15:25

Erand Nebo është një emër i panjohur për artet pamore, por shumë i njohur në atë që di të bëjë më mirë: marrëdhëniet bankare.

Si një bankier profesionist prej vitesh, pas një dite të lodhshme mes shifrave, Nebo gjen qetësinë te piktura, një gjini që ka nisur ta lëvrojë 5 vite më parë. Teksa kundron 41 tablotë e tij, që i prezanton për herë të parë për publikun në Muzeun Historik Kombëtar deri më 30 prill, e ke të vështirë të kuptosh se vitet e tij në marrëdhënie me penelin numërohen vetëm me gishtat e njërës dorë.

“Kemi bërë një kurim, së bashku me kuratorin Arbër Kadia. I kemi ndarë në 5 blloqe: blloku i parë shpërthimi i ngjyrave, që ka edhe pjesën më të madhe të pikturave. Blloku tjetër grija, e zeza, bluja, si dhe punët e mëdha”, tha Erand Nebo, piktor.

Nga njëra tablo në tjetrën, ngjyrat kalojnë para syve, duke sjellë të gjitha stinët dhe ndjesitë në ekspresionizmin abstrakt të Nebos.

“Teknika është e përzierë: me spatulim, me veprim, që është puna e bërë në tokë. Mediumet janë akrilik, smalt, vaj. Ka edhe një ndërthurje të tyre dhe japin efekt, krijojnë emocion”, tha më tej piktori Nebo.

Njëra nga pikturat e nxjerra në ankand pret blerës gjatë të gjithë ditës së dielë, të ardhurat e së cilës do të shkojnë në ndihmë të një fëmije autik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA