Fillimisht pamundësia teknologjike dhe më vonë pirateria, konfliktet e shumta dhe të njëpasnjëshme në rajon dhe pasiguria që grupe shkencëtarësh të studionin zonën, e kishin lënë në harresë atë që njihet si “Zona e Vdekur” më e madhe në glob.
Kjo zonë shtrihet në Detin Arabik. Një grup shkencëtarësh studiuan me sonda deri në 1 mijë metër thellësi gjendjen e florës dhe faunës dhe thonë se rezultatet e përfituara janë më alarmante nga sa mendohej.
Sipas tyre, ajo që njihet si “Zona e Vdekur” është 4 herë më e madhe si hapësirë nga sa besohej deri më tani. Shkencëtarët thonë se në 80 mijë kilometra katrorë nuk gjetën gjurmë jete nënujore dhe shumë pak bimësi.
Shkak për këtë është uji i ngrohtë dhe i varfër me oksigjen, ky i fundit i domosdoshëm për gjallesat dhe bimësinë detare.
Ajo që e bën me shqetësuese, thonë studiuesit e Universitetit të Anglisë Lindore, është fakti që kjo zonë vazhdon të zgjerohet dhe pasojat nuk janë vetëm rajonale në atë që njihet si Gjiri i Omanit dhe Ngushticën e Hormuzit.
“Oqeani po mbyt peshqit dhe bimësinë detare, që e kanë të domosdoshëm oksigjenin. Ky është një problem tepër serioz, pasi pasojat shtrihen zinxhir në klimën globale”, thotë Bastian Queste, anëtar i grupit që kreu studimin.
Në të gjithë botën numërohen me qindra zona të vdekura, që në gjuhën shkencore njihen si “zona me minimum oksigjeni” deri më tani mendohej se krijoheshin në një thellësi nga 200 deri në 800 metra, por zbulimi i fundit e hedh poshtë këtë.
Shkencëtarët punuan për 8 muaj në këtë rajon, që pak vite më parë sundohej nga piratët somalezë.
Top Channel