Në kohën kur jo pak gjyqtarë dhe prokurorë ndodhen nën valën e parë të hetimit administrativ dhe nën ethet e komunikimit elektronik me trupat e vettingut, Unioni i Gjyqtarëve iu lëshoi thirrje jo vetëm ketyre institucioneve, por edhe politikës e medias që të respektojnë standardet.
Megjithëse u adresohej të tre komponentëve, theksi i apelit ishte veçanërisht ndaj dy organeve të vettingut, të cilat sipas komunitetit të gjyqtarëve nuk duhet të harrojnë piketat e Komisionit të Venecias dhe të Gjykatës Kushtetuese.
“Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë kërkon nga organet e Vettingut të vijojnë një proces rikontrolli konform standardeve më të larta të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, opinionit të Komisionit të Venecias, të opininit të rrjeteve gjyqësore europiane, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese duke patur si qëllim shëndoshjen e sistemit gjyqësor dhe jo ndëshkimin individual të gjyqtarëve. Unioni kërkon nga oponioni publik, media dhe politika të mos influencojnë procesin e vettingut me deklarata të pabaza dhe shpesh emocionale”, thuhet në deklaratën e Unionit.
Kjo deklaratë e Unionit që rreshtohet pro vettingut, vjen pothuajse një vit pasi Unioni humbi në Gjykatën Kushtetuese pretendimet për të riparë disa nene të ligjit, veçanërisht ato të rivlerësimit të figurës.
Deri më tani kanë reaguar vetëm dy njerëz për mënyrën si u zhvillua procesi i vettingut.
Besa Nikëhasani dhe Besim Trezhnjeva deklaruan publikisht se nuk u dëgjuan dhe nuk u morën provat e tyre, një standard ky që nuk u ndoq nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në rastin e gjyqtares Kushtetuese, Altina Xhoxhaj.
Për Xhoxhajn vendimi u shty dhe pavarësisht se gjykimi ishte mbyllur, trupa e vettingut tha se ishin depozituar prova të reja.
Në proces nuk u kuptua se kur ishin dorëzuar këto prova të reja, për të cilat sipas standardeve të gjykimit, trupa duhet të ishte shprehur përpara se të tërhiqej për vendimin.
Top Channel