Voskopoja vazhdon të sigurojë mbijetesën e traditës shekullore të punimit të gurit.
Fshati i njohur për kishat qindravjeçare, rrugët me kalldrëm dhe shtëpitë e gurta e ka të hershme mjeshtërinë e punimit të gurit.
Voskopoja dallohet për përgatitjen e punimeve të dorës bazuar në mjeshtërinë lokale dhe burimet natyrore e një prej tyre është edhe arti i gdhendjes së gurit.
Mihal Bebri prej 20 vitesh e kthen gurin në vepër arti, ndërsa profesionin e ka mësuar në emigrim. Ai është rikthyer në fshatin e lindjes prej dy vitesh dhe po ruan një prej profesioneve më të veçanta.
“Profesionin e zgjedh njeriu dhe unë zgjodha këtë profesion. Është i mirë. Dikush më ka thënë kur isha në emigracion që me gurin dashurohesh dhe thashë që mos e ka lënë mendja këtë. Por, me kalimin e kohës, kuptova që me gurin dashurohesh vërtet. Është art më vete”, thotë ai.
Ky profesion konservohet edhe nga ustallarë të tjerë në këtë fshat, të cilët me mjeshtëri transformojnë gurin e Voskopjës, i cili ka ditur t’u rezistojë shekujve.
Top Channel