Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar ndryshime në qeveri dhe parti në shtator, pas fushatës që do të nisë më 1 maj në takime me qytetarët për bashkëqeverisjen.
“Çfarë ndryshimesh, nëse do të jetë e nevojshme, në qeveri në shtator duhet të ndryshojmë, cilat ministra, ministri apo sektorë nuk janë në lartësinë e kësaj nevoje, që jo thjesht të tregoj shifra dhe statistika po të kenë vendin e tyre në mendjet e zemrat e atyre që na kanë dhënë besimin. Në fund të kësaj fushate do të shohim cilët anëtarë të kryesisë së partisë duhet të largohen nga kryesia dhe cilët janë të rinjtë që duhet të vijnë”, tha kryeministri.
Kukësi tha ai, shërbeu një mësim për arrogancën për të cilën është etiketuar qeveria. “Kërcënimi që ne të etiketohemi si arrogant. Pse thonë njerëzit që ne qeverisim me arrogancë? Këtë duhet ta kuptojmë që ta ndajmë, cila pjesë e qeverisjes sonë konsiderohet arrogante, sepse është e drejtë dhe bëjmë reforma të dhimbshme, dhe cila pjesë e qeverisjes sonë është padrejtësisht arrogante me njerëzit. Këtë ne duhet ta ndajmë. Kukësi ishte një mësim shumë i madh për të kuptuar përgjegjësinë tonë, çfarë ne nuk bëmë si duhet dhe çfarë duhet të bëjmë në vijimësi, për mos tu përsëritur gabimi që duke u nisur për një qëllim të mirë, pa marrë mundimin për ta shpjeguar qëllimin të gjendemi përballë një reagimi që në fund të lë në ballë etiketën e arrogantit”, tha më tej.
Ai tha se nuk do të ketë më ligje pa u konsultuar me njerëzit. “Nuk duhet të kalojmë më ligje të asnjë lloji, pa i bërë më parë transparente për publikun, ne i kemi bërë, po nuk është detyra e njerëzve që të rrinë me celular në dorë dhe para kompjuterit që ti kërkojnë, po detyra jonë t’ua themi, tua nënvizojmë çfarë po bëjmë. Ashtu sikundër është detyra jonë sot tani, në këtë moment që po flasim, të garantojmë që vetingu në polici të mos krijojë turbulli mes trupave policore dhe ka nevojë jo thjesht të dëgjojnë po dhe të asistohen një për një për ta kuptuar dhe për ta plotësuar atë pjesë të detyrimit që ka ligji. Ashtu sikundër është detyra jonë të bëjmë këtë gjë me të gjitha grupet e interesit dhe komunitetet”, tha më tej Rama.
Top Channel