Patriarku i Kishës Ortodokse ruse, Kirili mbërriti në Shqipëri. Masat e sigurisë për të janë tejet të forta, që me zbritjen e tij në Rinas, ku ai u prit nga Kryepeshkopi Anastas dhe përfaqësues të Ambasadës Ruse në Tiranë.

Ndalesa e tij e parë ka qenë në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”. Kryepeshkopi Anastas i uroi atij mirëseradhjen.

“Me ndjenja vëllazërore me gjithë shpirt dhe nderim të thellë, ju presim sot vëllai i shenjtë Patrik i Moskes dhe gjithë Rusive, zoti Kiril dhe urojmë që me ndërmjetësimet dhe frymëzimin e Shën Kirillit, emrin e të cilit mbani të vazhdoni kontributin tuaj fetar me urtësinë e tij nxitur prej perendisë dhe ëndrrat e tij të mëdha”, iu drejtua Kryepeshkopi Janullatos.

Kreu i Kishës Ortodokse Ruse tha se vizita e tij hap një kapitull të ri marrëdhëniesh miqësore mes kishave. Në fjalën e tij në katedrale një pjesë të veçantë zuri edhe përndjekja e klerikëve nga komunizmi në Shqipëri.

“Por, në kundërshtim me qëllimet e përndjekësve, ndodhi ringjallja e fesë, rikthimi në jetë, pasi gjaku i martirëve është fara e krishtërimit. Zoti na dërgoi mirësinë e tij dhe Kisha Autoqefale e Shqipërisë e shkatërruar plotësisht në të kaluarën, sot u ringrit me një lavdi të re falë veprës vetëmohuese të Primatit të saj fortlumturisë, Anastas. Shpresoj që me ndihmën e Zotit, vizita ime paqësore të hapë një kapitull të ri për marrëdhëniet midis kishave tona ortodokse lokale vëllazërore”, u shpreh kleriku i lartë rus.

Patriarku Kiril do të vizitojë gjatë qëndrimit në Shqipëri Akademinë Teologjike të Kishës Ortodokse në Shën Vlash të Durrësit, si edhe do të takojë Presidentin Ilir Meta, Kryeministrin Edi Rama dhe drejtues të tjerë të lartë shtetërorë.

Të dielën, dy klerikët do të bashkëmeshojnë në katedralen ortodokse “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë.

Top Channel