Metafora e Tusk: Ballkani, nga një film horror në fitues të çmimit Oscar me fund të lumtur

28/04/2018 10:22

“Ju mund të mbështeteni tek ne”, kanë qenë fjalët e Donald Tusk në samitin e Brdo-Brijunit, që u zhvillua në Shkup.

“Këtë javë kam udhëtuar nëpër tërë rajonin. Kam ardhur në Ballkanin Perëndimor me një mesazh të qartë nga udhëheqësit e të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Evropian: ne mbetemi të palëkundur në ofertën tonë për një perspektivë evropiane për rajonin. Ju mund të mbështeteni tek ne”, tha Tusk në fjalën e tij, duke theksuar se “këto nuk janë fjalë boshe”.

“Por sigurisht BE-ja nuk ka të bëjë vetëm me tregtinë, investimet dhe paratë. Është para së gjithash në lidhje me atë lloj shoqërish që duam të jemi. Pasi kam jetuar pjesën e parë të jetës sime nën një regjim komunist, nuk kam asnjë dyshim për drejtimin më të mirë për qytetarët. Por kjo është një zgjedhje, vendim dhe punë që vetëm ju në rajon mund të ndërmerrni. Sigurisht me mbështetjen e plotë të miqve tuaj në Bashkimin Evropian. Sot diskutuam rëndësinë e vazhdimit të mëtejshëm dhe përmirësimin e lidhjes brenda rajonit dhe Bashkimit Evropian. Ne do të vazhdojmë këto diskutime muajin e ardhshëm në Sofje”, tha Tusk.

Ai theksoi se zhvillime pozitive janë të mundshme në Ballkanin Perëndimor, duke përmendur këtu demarkacionin e Kosovës me Malin e Zi dhe traktatin e Miqësisë mes Shkupit dhe Sofjes. “Ne kemi nevojë për më shumë zhvillime të tilla pozitive., tha ai.

Tusk përdori dhe një metaforë për Ballkanin Perëndimor. “Gjatë udhëtimit tim në rajon, kryeqytet për kryeqytet, unë jam kthyer përsëri një optimist i kujdesshëm. Është e mundur që historia e Ballkanit, një lloj filmi horror i pafundëm, mund të shndërrohet në një prodhim fitues të çmimit Oskari me “një fund të lumtur””, tha ai.

Top Channel