Invalidi sorollatej prej 14 vitesh për pronën, “Fiks Fare” i zgjidh problemin

28/04/2018 01:33

Një invalid nga Tirana sorollatej nga zyrat e hipotekës prej 14 vitesh. Agim Murataj tha për “Fiks Fare” se në vitin 2004 nëna e tij ka ndërruar jetë.

Nëna e tij ishte një nga 21 trashëgimtaret e një prone prej 44 mijë metrash katrorë në Shkozë të Tiranës. Pas vdekjes, Agimi i është drejtuar Gjykatës së Tiranës dhe ka dalë një dëshmi trashëgimie, ku Agimi është trashëgimtari i vetëm i nënës së tij.

Pas 1 muaji, shkon në Hipotekë dhe kërkon që në vend të emrit të nënës së tij në certifikatën e pronës, të vihet emri i tij. Por, gjatë 14 viteve, zyrat e Hipotekës e kanë sorollatur, pasi i kërkonin që Agimi të merrte një prokurë nga të gjithë trashëgimtaret.

Sipas Agimit, një kërkesë e tillë ka qenë absurde, pasi ai kërkonte vetëm ndryshimin e emrit, nga nëna e tij te ai. Hipoteka i kërkonte gjithashtu se duhet të dërgonte një kartelë.

Fiks Fare shkoi bashkë me Agimin te Hipoteka e Tiranës. Drejtuesit e rinj të Hipotekës, pasi panë dokumentacionin, thanë se ai do të pajisej menjëherë me certifikatë, ndërsa saktësuan se muajt e fundit, Agimi nuk kishte bërë kërkesë. Agimi tha se kërkesa e fundit ishte bërë në vitin 2017.

Dy ditë më pas, gazetarët e Fiksit dhe z.Agim Murataj shkuan në Hipotekë, ku morën edhe certifikatën e pronësisë, tashmë të ndryshuar, nga emri i nënës së tij të ndjerë, te ai. “Falënderoj emisionin ‘Fiks Fare’. Jeni zgjidhja e vetme e halleve të popullit” përfundoi Agimi, prej vitesh invalid.

Top Channel