Ish-komisioneri publik, Heral Saraçi i shkarkuar në muajin mars nga organet e vettingut nuk ka zgjedhur Gjykatën e Strasburgut për ta goditur këtë vendim, por një gjykate shqiptare.
Edhe pse vendimi i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit konsiderohet i formës së prerë dhe si mundësi e fundit për të larguarit nga ky organ i vettingut shikohet vetëm Gjykata europiane, Heral Saraçi e ka dorëzuar padinë e tij në Gjykatën Administrative të Tiranës.
Siç thonë burimet ish-komisioneri publik kërkon në padinë civile që gjykata të shfuqizojë vendimin e datës 12 mars të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe ta rikthejë në pozicionin e komisionerit publik.
Shorti ka caktuar si gjyqtare për këtë çështje gjyqtaren administrative Afërdita Miho. Ndërkohë nga ana tjetër, Kolegji i Posaçëm i Apelimit argumenton shkaqet se përse e shkarkoi komisionerin publik, mes tyre, mos përmbushja e detyrës në mënyrë të pajustifikuar, ndërhyrje dhe ndikim tek një anëtar tjetër dhe zvarritje.
Seanca ndaj komsionerit publik Saraçi ishte e para e zhvilluar organet e vettingut, e cila është vënë në lëvizje nga komisioneri publik për ndërprerjen e vettingut ndaj ish-Prokurorit të përgjithshëm Adriatik Llalla. Pas regjistrimit të kësaj çështjeje në datën 23 mars pritet të dalë në gjykim.
Top Channel