Deri në qershor, kur merret vendimi për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë, Gjermania duhet të jetë pozicionuar në lidhje me qëndrimin e saj, e përgjegjësia nuk bie vetëm mbi ekzekutivin.
“Qeveria Federale dhe unë, si përfaqësues në Këshillin për Çështje të Përgjithshme, do të themi po, kur të marrim ‘dritën jeshile’ nga Bundestagu dhe Këshilli Federal, Bundesrati, gjë që për momentin nuk po e shoh ende”, citohet nga “Deutsche Welle” deputeti socialdemokrat, Michael Roth, i cili është njëkohësisht edhe ministër Shteti për Europën, pranë Ministrisë së Jashtme gjermane.
Në fjalën e mbajtur gjatë tryezës së rrumbullakët, që Fondacioni “Friedrich Ebert” kishte organizuar në Berlin me rastin e vizitës së kryeministrit Edi Rama, Roth tha gjithashtu se partia e tij është për hapjen e negociatave, por shtoi se “ka rezerva të mëdha nga CDU-CSU dhe këto duhet të mënjanohen”.
SPD-ja, ndërkohë, duket se do që t’ia hapë rrugën Shqipërisë. Por procesi është vështirësuar për shkak të artikujve të shkruar në disa medie shqiptare kundër deputetit kristian-demokrat, Gunther Krichbaum.
Kryetari i Komisionit të Bundestagut për Bashkimin Europian, në të njëjtën ditë me shpalljen e rekomandimit të Këshillit të Bashkimit Europian për çeljen e negociatave, tha në një intervistë për “Deutsche Welle”-n se, Shqipëria ka ende deficite në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Disa medie në Shqipëri iu përgjigjën këtij prononcimi me artikuj që e sulmonin personalisht deputetin gjerman. Siç bënë të ditur për “DW” qarqet e CDU-së në Berlin, disa deputetë demokristianë mendojnë se artikujt që e akuzonin deputetin gjerman si prorus dhe proserb dhe si vegël të opozitës shqiptare vinin nga autorë të afërm me Partinë Socialiste.
Kjo ishte arsyeja se përse deputetët rreth grupit parlamentar për Ballkanin Perëndimor, në shenjë solidariteti me kolegun e tyre vendosën të mos i përgjigjeshin ftesës që u kishte bërë kryeministri Rama në një nga restorantet më luksoze dhe ekskluzive të Berlinit.
Këtë ia konfirmuan “Deutsche Welle”-s dy deputetë të këtij fraksioni. Ndërsa zyra e Gunther Krichbaumit i tha gjigantit mediatik gjerman se, tashmë është anuluar edhe vizita që ai kishte planifikuar të realizonte në Shqipëri në fillim të muajit të ardhshëm.
Top Channel