Partia Socialiste do të mbledhë të shtunën Asamblenë e saj Kombëtare. Top Channel ka mundur të sigurojë axhendën e punimeve, që do të hapen në orën 10:00 me një mesazh të kryeministrit Rama, njëherësh kryetar i partisë.

Më pas do të vijohet me një raportim mbi performancën e Qeverisë, pas analizave të zhvilluara nga PS dhe grupi i saj parlamentar me çdo ministër të kabinetit qeveritar.

Koordinatorja kombëtare, Elisa Spiropali do të raportojë për ecurinë e bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm.

Ndonëse zgjedhjet e ardhshme vendore janë më shumë se një vit larg, socialistët do të analizojnë edhe performancën e tyre në pushtetin lokal.

Asambleja do të udhëzojë edhe zhvillimin e llogaridhënies publike të qeverisjes qendrore dhe vendore, nga data 1 maj deri më 30 qershor.

Ajo çfarë bie në sy është mungesa në axhendë e ndryshimeve në Sekretariatin e PS-së, që Kryesia e partisë disa javë më parë kishte vendosur të realizohej në mbledhjen e Asamblesë.

Burime nga PS-së bënë të ditur se kjo është shtyrë për një tjetër mbledhje.

Top Channel