Nga Jenny Hill (korrespondent i BBC në Berlin) – Duket si një ndeshje që zhvillohet në sfondin politik. Kancelarja gjermane, Angela Merkel nuk ka pasur kurrë gjëra të përbashkëta me Donald Trumpin.
Një mbështetëse e flaktë e tregtisë së lirë dhe paqedashëse edhe kur vjen fjala te marrëveshja bërthamore me Iranin, ajo do të ulet për bisedime në Uashington këtë të premte, me një proteksionist luftarak, i cili e përshkruan si të papërgjegjshme dhe më të keqen të mundshme, akordin që detyroi Iranin të kufizojë aktivitetet bërthamore në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike.
Në kohën kur presidenti amerikan u zgjodh në krye të Shtëpisë së Bardhë, shumë pak në Berlin menduan se Kancelarja liberale dhe e qëndrueshme, e panjohur për shfaqje pompoze, do të mund të krijonte ndonjë lloj marrëdhënieje me impulsivin dhe dramatikun Donald Trump.
Sigurisht që askush nuk priste një marrëdhënie të afërt, siç ishte aleanca e ngrohtë që u zhvillua mes Merkelit dhe Barack Obamës, edhe këta pasi kaluan zbulimin tronditës se amerikanët kishin përgjuar telefonatat e shefes së Berlinit.
Ajo marrëdhënie solli fryte politike për Merkelin dhe vendin e saj. Udhëheqësja e Gjermanisë ishte zëri më i fuqishëm europian për Amerikën dhe shpesh bashkëbisedues mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, një rezultat ky edhe si pasojë e respektit të heshtur të presidentit Vladimir Putin për Kancelaren Merkel.
Megjithatë, prapa skenave, zyrtarët besojnë se vizita e parë e Merkelit në Uashington, në mars të vitit 2017, nuk ishte një katastrofë aq e madhe sa shumë i frikësoheshin. Pavarësisht disa momenteve të ndërlikuara (i paharrueshëm shtrëngimi i duarve që nuk ndodhi kurrë), Merkel dhe Trump kanë ende një marrëdhënie funksionale dhe thuhet se flasin rregullisht në telefon.
Tashmë që vizita e saj e dytë po afron, a duhet Merkeli – siç pyet edhe e përditshmja gjermane “Bild”, – të jetë xheloze për puthjen mes Donald Trumpit dhe Emmanuel Macronit gjatë vizitës së këtij të fundit në Shtëpinë e Bardhë, këtë javë? A është gati presidenti francez, – lexohej mes rreshtave të “Bild”-it, – ta zëvendësojë Merkelin si udhëheqës të Europës?
Në fund të fundit, – thekson e përditshmja tjetër “Die Zeit”, – Donald Trump ka më shumë të përbashkëta me presidentin Macron. Ata ndajnë një formim biznesmenësh e që të dy kanë një qasje populiste ndaj politikës.
Deri më sot, – argumenton gazeta, – Macron ka shmangur kritikat e tepërta ndaj presidentit amerikan. Angela Merkel, ndërkohë, ka shprehur qartësisht dhe vazhdimisht përbuzjen e saj për disa prej politikave të tij. Berlini, padyshim që e ka parë me imtësi vizitën e Macronit. Gjithsesi, në realitet shqetësohen shumë pak mbi një garë se kush do të bëhet “miku i ri” i Trumpit në Europë.
Të shqetësuar nga mosinteresimi i dukshëm i Trumpit mbi Bashkimin Europian, udhëheqësit franko-gjermanë u përgatitën bashkë për vizitat e tyre respektive në Uashington. Karakteri dhe stili ndryshojnë, por mesazhi është thuajse i njëjtë. Delegacionet franceze e gjermane janë koordinuar nga shumë afër, thonë disa burime, ndaj kjo mund të shihet si një qasje e vetme dhe e orkestruar europiane.
Po kështu, axhenda e vizitës së Merkelit është përcaktuar dhe duket se pasqyron atë të Macronit. Në krye të të gjithave janë tarifat dhe tregtia. Vizita e Macronit dështoi të siguronte angazhimin e Donald Trumpit për të përjashtuar BE-në nga tarifat e tij mbi importet e metaleve. E duke qenë se data 1 maj po afron (afati kur pritet të hyjnë në fuqi tarifat), Merkel është nën presion nga kolegët e saj të BE-së për të ndërmjetësuar një përjashtim të përhershëm.
Më pas vjen edhe një tjetër afat kohor. Më 12 maj, Trumpi duhet të vendosë nëse do të rivendosë sanksionet ndaj Iranit, gjë që në fakt do të shkatërronte marrëveshjen bërthamore. Macron e pranoi se dështoi ta bindte presidentin amerikan mbi vlefshmërinë e akordit të vitit 2015. Ndërsa Merkel pritet ta vendosë ndër prioritetet e saj këtë çështje. Askush nuk pretendon që kjo është diçka e thjeshtë.
Udhëheqësit pritet të diskutojnë gjithashtu “Nordstream 2”, gazsjellësit e ri kontrovers të Rusisë, që do të sjellë gaz natyror në Europë duke anashkaluar Ukrainën dhe Poloninë. Donald Trumpi nuk është fans i kësaj gjëje. Merkel ndërkohë është, edhe pse kohët e fundit ka preferuar të heshtë nga mbështetja e saj për këtë projekt, e shqetësuar për pasojat gjeopolitike.
Dhe, sikur udhëheqësit të kërkonin më shumë shkak për polemika, edhe tema e kontributeve të Gjermanisë në NATO është listuar për diskutim. Analistët theksojnë se Merkeli nuk do të dëshironte të shihej teksa rrëmonte në kërkesën e Trumpit për rritje pagesash (pasi angazhimi për rritjen e shpenzimeve gjermane është bërë qysh para rizgjedhjes së saj). Gjithashtu administrata e Trumpit nuk ka popullaritet mes elektoratit gjerman dhe, edhe nëse Merkeli do të mundej, shumë pak gjermanë do të donin të shihnin udhëheqësen e tyre të rehatohej në krah të Trumpit.
E siç e ka theksuar “Bild”, një gazetë që nuk mundi t’u rezistojë toneve gazmore, Macron mund të ketë kënaqur egon e Trumpit, por nuk arriti gjë. Angela Merkel nuk është ndër ato që shkëmben sharm në të tilla situata, me shumë gjasë ajo do të mbajë një qasje pragmatike, por askush në Berlin nuk pret mrekulli.
* Shënim: “Bromanca”, marrëdhënie e ngushtë joseksuale mes dy meshkujve.
Top Channel