Vizita e Anxhela Merkelit në Uashinton vjen menjëherë pas vizitës së Emanuel Makronit, i cili dha përshtypjen se krijoi një status si europiani i preferuar i Trump-it.
Për Merkelin nuk do të ketë bankete, fjalime në Kongres apo shfaqje dashurie në publik. Gruaja më e fuqishme në Europë do të qëndrojë në Shtëpinë e Bardhë vetëm për 2 orë e gjysmë.
Një zyrtar i lartë tha që nuk duhen matur vizitat me kohëzgjatje, pasi e Makronit ishte vizitë e plotë shtetërore, ndërsa e Merkelit është takim pune. Por shumë në Berlin shohin një simbolizëm këtu.
Vizita e Makronit dukej se po lajmëronte një epokë të re e të artë midis SHBA-ve dhe Francës, ndërsa Merkel shihet nga Trump si udhëheqësja e padëshiruar që del kundë interesave amerikane.
“Është e çuditshme se si Gjermania ndryshoi kaq shpejt, duke u bërë nga shteti i preferuar europian për Amerikën, në një nga ‘të këqijtë’”, thotë Jan Techau, Drejtor Programi te Fondi Gjerman Marshall në SHBA.
“Për shkak të çështjeve si kontributi i Gjermanisë në NATO, tregtia ndërkombëtare dhe gazsjellësi Nord Stream 2, SHBA-të e shohin Gjermaninë si partner jo të besueshëm për interesat e Amerikës”, thotë ai.
Mbështetësit e aleancës atlantike në Gjermani janë alarmuar për gjendjen e tanishme të marrëdhënieve Gjermani-Amerikë. “Nuk kanë qenë kaq të tensionuara që kur Gjermania refuzoi të bëhet pjesë e luftës në Irak, në vitin 2003”, thotë David Deissner, kreu i Atlantik Brucke, një grup ekspertësh në Berlin.
LEXO EDHE: Pse ngurron Gjermania t’u bashkohet aleatëve në sulme?
Pse ngurron Gjermania t’u bashkohet aleatëve në sulme?
Një pjesë fajësojnë Trump-in. Ai ka shënjestruar Gjermaninë me kritika për politikën mikpritëse ndaj refugjatëve, për suficitin tregtar dhe mungesën e makinave amerikane në tregun gjerman.
Por edhe Berlini ka përgjegjësitë e veta për këtë ftohje, thotë Constanze Stelzenmüller nga “Instituti Brookings” në Uashington. “Në Gjermani ka probleme për të cilat është faji ynë. Kemi kohë që e marrim falas sigurinë amerikane dhe duhej të kishim bërë diçka”.
Merkel shkon në Uashington me një qëllim kryesor: të shmangë një luftë tregtare midis SHBA-ve dhe Europës. Por në Berlin ka pesimizëm për suksesin e këtij synimi, ndërkohë që kompanitë europiane mbeten të përjashtuara nga tarifat ndëshkuese mbi çelikun dhe aluminin, që Trump i njoftoi këtë Mars.
Një zyrtar i lartë Gjerman tha të enjten se priste që tarifat mbi importet nga BE të hynin në fuqi më 1 Maj, kur skadon koha e lënë si periudhë për të marrë masa. Kështu që misioni i Merkelit duket i dështuar që pa nisur.
Parashikimet janë po kaq të errëta dhe për çështje të tjera. Sa për marrëveshjen me Iranin, Merkel pritet të vazhdojë thirrjet e Makronit e t’i kërkojë Trump-it të mos e tërheqë Amerikën nga marrëveshja bërthamore, të cilën ai e ka quajtur si marrëveshja më e keqe e bërë ndonjëherë. Por në fund të vizitës në Uashington, Makron tha se priste që Trump të tërhiqej.
“Puthje franceze me bishtin prapa”
Peter Breyer, deputeti gjerman i CDU-së dhe koordinator për bashkëpunim transatlantik, tha se nuk kishte pritshmëri të larta nga udhëtimi i Merkelit për sa i përket çështjes së Iranit.
Udhëheqësit gjermanë e amerikanë do të diskutojnë përgatitjet për samitin e radhës së NATO-s, në Korrik, ku SHBA-të do të vazhdojnë të këmbëngulin që Gjermania nuk po kontribuon mjaftueshëm për mbrojtjen. Trump do të kundërshtojë edhe Nord Stream 2, një gazsjellës që furnizon Gjermaninë me gaz rus nëpërmjet detit Balltik, që për Uashingtonin vetëm sa rrit varësinë e Europës nga Rusia dhe kërcënon statusin e Ukrainës si vend transit për gaz.
Pas pesë muajsh negociatash për koalicionin qeverisës, pas zgjedhjeve të vitit të shkuar, autoriteti i Merkelit në vend dhe jashtë Gjermanisë duket se ka rënë. Ajo është përpjekur fort ta përmirësojë atmosferën me Amerikën që para nisjes për në Uashington, me një sërë gjestesh pozitive ndaj SHBA-ve.
Javën e shkuar, për shembull, u raportua që ushtria gjermane do të blinte armë dhe materiale të reja, si granatahedhës, helikopterë shpëtimi, avionë transportues dhe antiplumb.
Merkel do t’i bëjë të qartë Trump-it që Gjermania po përparon me synimin për të shpenzuar 2% të PBB për ushtrinë, pavarësisht kundërshtimeve që kanë aleatët e koalicionit.
“Ajo duhet të japë mesazhin që Gjermania është një partnere e besueshme e NATO-s dhe që ka qasje serioze për sa i përket kontributit të barabartë”, thotë Deissner. “Ky është një nga mesazhet kryesore që do të çohet në Uashington”.
Merkel ka ndryshuar tonin edhe për Nord Stream 2. Ajo ka këmbëngulur me vite se projekti ka qenë thjesht tregtar, por këtë muaj e pranoi që duhen marrë parasysh edhe faktorët politikë. Kancelarja i ka thënë presidentit rus Vladimir Putin se Ukraina nuk duhet të lihet jashtë si shtet transit, pas ndërtimit të Nord Stream 2.
Zyrtarët në Gjermani këmbëngulin se krahasimet midis vizitave të Makronit dhe Merkelit janë pa vend, pasi çështjet e diskutimit janë të njëjtat dhe zyrtarët në Paris e Berlin janë marrë vesh bashkë për to, që para udhëtimeve.
“Nuk ka garë se kush ka marrëdhënie më të mirë me Trump-in”, thotë Beyer. “Fakti që të dy po bashkëpunojnë ngushtë dhe i kanë bashkërenduar hapat, është vetëm fitore për Europën”.
Megjithatë, Makron ka marrëdhënie më të mira me presidentin Amerikan. “Lidhja kimike midis Merkelit dhe Trump-it thjesht nuk funksionon”, thotë Techau.
Financial Times
Top Channel