“Gulf”, Gjiknuri-Tabakut: Ministria nuk monitoron tregun, por cilësinë e produktit

27/04/2018 12:34

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri ka reaguar në Facebook ndaj deklaratës së deputetes demokrate Jorida Tabaku, lidhur me çështjen “Gulf”.

“Një këshillë miqësore për deputeten Tabaku. Kur të marrësh përsipër të dalësh përpara mediave bëj një sakrificë dhe lexo së paku ligjin për të ditur kompetencat ligjore të ministrive dhe fushën e veprimit. Përveçse do të zgjerosh njohuritë në fushën e hidrokarbureve do të shmangësh broçkullat si këto të sotmet. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë inspekton dhe garanton parametrat e sigurisë teknike dhe cilësisë së produktit që tregtohet dhe nuk trajton apo monitoron aspektet e tregut. Çdo veprim spekulativ dhe abuziv në treg, përfshirë dhe rastin në fjalë duhet dhe jam i bindur se po ndiqet rigorozikisht nga strukturat e specializuara ligjzbatuese, Policia e Shtetit, Tatimet dhe Prokuroria”, shkruan Gjiknuri.

Ndërkohë më herët, znj. Tabaku tha se ministri Gjiknuri në një deklaratë ka dalë garant për investitorin. “Aktualisht po zhvillohet një hetim dhe do presim rezultatet, edhe pse nuk kam besim që do të arrijmë aty ku duam. Mund të penalizohen individë në nivele më të ulëta. Kam një deklaratë të Gjiknurit që ka dalë garant për këtë invetitor. Sa e ka ngritur flamurin e kuq të rrezikut për këtë kompani? Çfarë kanë bërë strukturat përgjegjëse? Politika duhet të ketë përgjegjësi. Nëse ministri del garant për cilësinë e investitorëve të huaj, përgjegjësia është tek ministri dhe kryeministri”, u shpreh ajo.

Top Channel