Qëndrimi gjerman për Shqipërinë e ndezi debatin politik në Tiranë. Dy partitë e mëdha premtojnë të mbajnë të gjalla temat politike edhe në fundjavë. Të shtunën socialistet mbledhin Asamblenë për të diskutuar nisjen e analizave të qeverisjes. Ndërsa demokratet një ditë më pas mbledhin Kuvendin. Të përjashtuarit u ftuan, por do bojkotojnë.
Partia Socialiste do të mbledhë të shtunën Asamblenë Kombëtare. Top Channel ka mundur të sigurojë axhendën e punimeve, që do të hapen në orën 10:00 me një mesazh të Kryeministrit Rama, njëherësh kryetar i partisë.
Më pas do të vijohet me një raportim mbi performancën e Qeverisë, pas analizave të zhvilluara nga PS dhe grupi i saj parlamentar me cdo ministër të kabinetit qeveritar. Ndonëse zgjedhjet e ardhshme vendore janë më shumë se 1 vit larg, socialistët do të analizojnë edhe performancën e tyre në pushtetin lokal.
Asambleja do të udhëzojë edhe zhvillimin e Llogaridhënies Publike të qeverisjes qendrore dhe vendore, nga data 1 Maj deri më 30 qershor. Çfarë bie në sy është mungesa në axhendë e ndryshimeve në sekretariatin e PS-së.
Ndërkohë e diela është e Partisë Demokratike, e cila mbledh Kuvendin Kombëtar. Një telefonatë nga zyra e organizimit në Partisë Demokratike ka mbërritur tek çdo kritik i Lulzim Bashës, të cilët e humbën mandatin e delegatit në Kuvendin Kombëtar pas përjashtimit nga lista e kandidatëve për deputetë nga kryetari.
Dy ditë para Kuvendit ata konfirmojnë se ftesave do t’u përgjigjen me bojkot. Nuk kanë konfirmuar pjesëmarrje Jozefina Topalli, Arben Imami, Astrit Patozi dhe Majlinda Bregu. Nga Ridvan Bode mungon një përgjigje, ndërsa Genc Ruli konfirmon pozicionin e tij të verës të tërheqjes nga politika. Besnik Mustafaj pritet të mos i mungojë as këtij Kuvendi e po ashtu Eduard Selami, i cili krahas konfirmimit ka kërkuar dhe të drejtë fjale.
Mungesa e fjalës deklarohet si motiv kryesor i bojkotit nga ish-zyrtarët e lartë. Por burime nga PD theksuan se për çdo nen të statutit kushdo ka mundësi ta marrë fjalën dhe pretendimet se mungon kjo e drejtë konsiderohet si alibi për mospjesëmarrje. Nga kritikët delegatë në Kuvend është Eduard Selami si ish-kryetar i PD-së dhe Arben Imami presidenti i Fondacioni për Liri dhe Demokraci, i cili pohoi i pari se nuk do të ketë diskutime dhe në një rast të tillë e konsideronte të pavlerë pjesëmarrjen.
Kuvendi prej 7500 delegatësh do të votojë ndryshimet në statut. Pjesa tjetër ngjan me formatin e protestave të demokratëve, ku veç fjalës së kryetarit do të flasin edhe qytetarë të grupeve të caktuara, interesat e të cilave adresohen nga e djathta, si ish-pronarët apo ish-të përndjekurit politikë. Pas Kuvendit Partia Demokratike nis zgjedhjet në bazë, ndërsa në vjeshtë mblidhet Kuvendi i ri i PD qe i hap rrugën zgjedhjes së organeve të reja drejtuese të partisë në qendër.
Top Channel