Prej dy javësh e nis nga stoli, pasi Spalletti ka preferuar aktivizimin e francezit Yann Karamoh në formacion, por duket se në sfidën derbi të Italisë, ndaj Juventusit, Antonio Candreva do të rikthehet të luajë nga fillimi.
Sulmuesi anësor italian theksoi se e gjithë skuadra është gati të japë diçka më shumë se 100%, jo thjesht për të mposhtur Juventusin, por për të shkuar në Champions League.
“Ka një javë rresht që e thotë Brozoviç, mezi po presim momentin që të luajmë këtë supersfidë, e cila është shumë e rëndësishme për objektivat tonë. Juventusi në vitet e fundit është skuadra më e fortë në Itali, madje edhe në Europë ka bërë shumë mirë. Do të kemi përballë një Juve të nevrikosur që do të kërkojë me çdo kusht tre pikët por edhe ne duam fitoren pasi dëshirojmë të shkojmë në Champions League dhe nuk kemi rrugë tjetër. Nuk mund të gabojmë asgjë. Do të japim maksimumin për të arritur objektivin tonë, edhe unë personalisht duam të jap diçka më shumë nga vetja për të shkuar në Champions League”, tha Candreva.
“San Siro” do të jetë i tejmbushur për derbin e Italisë dhe Candreva beson se me tifozët, Interi mund t’ia dalë, ndërsa falënderon ata për prezencën e madhe në numër, thuajse gjatë gjithë sezonit.
“Ne duhet të falënderojmë tifozët tanë, sepse “San Siro” ka qenë i mbushur plot gjatë gjithë sezonit. Na kanë përkrahur gjatë gjithë vitin dhe këtë sfidë ne duhet të fitojmë për vete, por edhe për tifozët”, u shpreh sulmuesi i Interit.
Top Channel