“Play off”-et e NBA-së, Houston kualifikohet për në gjysmëfinale

26/04/2018 12:36

Houston Rockets është skuadra e tretë që kalon në gjysmëfinalet e Konferencës së Perëndimit, në kampionatin e NBA-së. Teksanën mposhtën Minnesotën në ndeshjen e pestë, 122-101, duke e mbyllur serinë me rezultatin 4-1.

Timberwolves rivalizuan me Houstonin deri në fillimin e periodës së tretë, kur “Rockets” vendosën përfundimisht diktatin e tyre, falë 26 pikëve të Clint N’Dumba-Capela dhe 24 pikëve të James Harden.

Cleveland fitoi një tjetër sfidë ndaj Indianës në “Quicken Loans Arena”. Sfida e pestë mes “Cavaliers”-ave dhe “Pacers”-ave u mbyll 98-95 për ekipin nga Ohio, që mori avantazhin 3-2 në këtë seri përballjesh. Ai që vendosi fatin e sfidës për nënkampionët e NBA-së ishte LeBron James, që në sekondën e fundit u tregua i saktë në një gjuajtje nga distanca e 3 pikëve, duke vulosur fitoren përfundimtare të Clevelandit.

Toronto rigjen buzëqeshjen në sfidën me Washington Wizards. Ekipi kanadez fitoi ndeshjen e pestë ndaj Wizards, me rezultatin 108-98, duke marrë edhe kryesimin në serinë e përballjeve në 3-2.

Sfida mes Torontos dhe Washingtonit ishte e ekuilibruar, aty ku Wizards u dorëzuan vetëm në çastet e fundit të saj. Për “Raptors” u dallua DeRozan me 32 pikë, ndërsa për Washingtonin nuk mjaftuan 26 pikët e John Wall dhe 20 të Bradley Beal për të evituar disfatën.

Oklahoma rindez shpresat për një kualifikim të raundin tjetër të fazës së “play-off”-eve. “Thunders” fituan ndaj Utah Jazzit 107-99, duke e shkurtuar në 2-3 rezultatin e kësaj serie përballjesh. Në këtë ndeshje, Oklahoma e pa veten të eliminuar për një moment, pasi u gjend në disavantazhin e 25 pikëve kundrejt Jazz.

Por, “Thunders”-at arritën të ndryshojnë fatin e sfidës në mënyrë të papritur, duke e fituar këtë përballje për të rihapur llogaritë në këtë seri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA