Përmes dy artikujve të publikuar në një distancë kohore prej pak muajsh nga njëri-tjetri, revista “Mother Jones” shënjestron dy partitë kryesore të opozitës shqiptare për burimin e parave të përdorura për lobim në Shtetet e Bashkuara.
Kjo ka nxitur akuza e opozitës shqiptare, që thotë se revista paguhet nga mazhoranca për artikuj, që si PD, ashtu edhe LSI i quajnë sajesë.
Por, një prej autorëve, Dan Friedman, për Zërin e Amerikës e përjashton këtë. Ai thotë se nuk ka kontaktuar as me përfaqësues të Partisë Socialiste dhe as me lobues të kësaj partie në SHBA.
“Por për artikullin e mëparshëm unë kërkova kontakt me këtë grup që quhet Ballard Partners (grupi lobues i PS në SHBA). Ata kanë një ish-kongresmen me emrin Robert Wexler. Unë u përpoqa të flas me të për shkrimin tonë të mëparshëm, por ai refuzoi të fliste. Po kështu u përpoqa të flisja edhe për këtë artikull. Pra, ne nuk kemi patur kontakte as me Partinë Socialiste dhe as me përfaqësuesit e tyre këtu në SHBA”, thotë ai.
Friedman përjashton se pas artikujve qëndrojnë motive politike. Ai thotë se një artikull të ngjashëm do ta bënte edhe për Partinë Socialiste, nëse do të do të kishte dijeni për përdorimin e kompanive fantazëm në lobimin e kësaj force.
“Ne kemi përmendur në artikujt tanë se Partia Socialiste përdor grupin Ballard Partners. Ne nuk jemi përqendruar tek ata, sepse nuk kemi dijeni që dikush të ketë përdorur kompani fantazmë për të paguar Ballard Partners. Ajo që ne hulumtojmë është përdorimi i firmave fantazmë në parajsa fiskale që nuk kanë funksione biznesi, për të financuar lobimin në Shtetet e Bashkuara. Nëse do të kisha dijeni se socialistët e kanë bërë këtë, unë mezi do të prisja për të shkruar rreth kësaj. Pra ne nuk shkruajmë rreth ekzistencës së përpjekjeve lobiste që paguhen nga partitë politike. Ne hulumtojmë rreth përdorimit të kompanive fantazmë për këtë qëllim si dhe rreth mungesës së transparencës”, shton ai.
Top Channel