Pas mikpritjes së zjarrtë dhe duartrokitjeve që zgjatën për tre minuta, Presidenti francez Emmanuel Macron e përdori fjalimin e tij në Kongresin Amerikan për të denoncuar nacionalizmin dhe izolimin, politika që, sipas tij, janë një kërcënim për prosperitetin global.
Fjalimi i Macron në Kongres u interpretua gjerësisht si një sulm elegant ndaj axhendës së Trumpit, “Amerika e Para”. Macron gjithashtu foli për ndryshimet mes Francës dhe SHBA-së në kuadër të tregtisë globale, Iranit dhe ambientit, disi në kontrast me sjelljen e tij gjatë ditëve të para të vizitës në SHBA.
Macron tha se SHBA dhe Franca janë aleatë të ngushtë, pasi lidhja e tyre është formuar në liri, tolerancë dhe të drejtat e barabarta. Megjithatë, Macron e bëri të qartë se me Presidentin Donald Trump nuk bie gjithnjë dakord.
“Izolimi, tërheqja dhe nacionalizmi mund të jenë tunduese për ne si një ilaç i përkohshëm për frikën tonë. Por, mbyllja e derës ndaj botës nuk do të ndalojë evolucionin e saj. Mbyllja e derës ndaj botës nuk qetëson, por ndez edhe më shumë frikën e qytetarëve tanë. Ne nuk do të lejojmë që nacionalizmi ekstrem të trondisë një botë plot shpresa për prosperitet më të madh”, deklaroi Macron.
Presidenti francez theksoi se SHBA kishte shpikuar multilateralizmin dhe se i takonte sërish këtij kombi të madh të rishpikë e të krijojë një rend të ri botëror. Sipas Macron, OKB dhe NATO mund të mos jenë në gjendje që të përmbushin misionet e tyre dhe të garantojnë stabilitet, nëse Perëndimi injoron rreziqet e reja që ngrihen në botë.
Top Channel