LSI reagoi të mërkurën pas shkrimit të revistës Mother Jones, duke e quajtur atë “manipulim, mashtrim pa fakte dhe të shtrembëruar”.
Lidhur me deklaratat e LSI-së, Ilir Ikonomi i Zërit të Amerikës mori reagimet e njërit prej autorëve të shkrimit të revistës Mother Jones, Dan Friedman. Ai hedh poshtë akuzat e LSI-së.
“Provat që ne paraqesim janë në artikull. Pra, provat janë dhe nuk ka mashtrim. LSI-ja kishte kohë të mjaftueshme për t’iu përgjigjur pyetjeve tona. Shumicës së tyre ata realisht nuk iu përgjigjën. Kjo ngre pyetjen se përse po u shmangen përgjigjeve dhe dalin me akuzën se ne po sajojmë gjëra të paqëna”, deklaroi ai.
Dan Friedman tregon edhe si arrihet në përfundimin se kontrata e Grupit McKeon, e nënshkruar më 24 mars 2017 me firmën fantazmë “Dorelita” është në thelb një kontratë me LSI-në. Ai thotë se nuk mund të japë identitetin e burimit të informacionit.
“Nuk mund ta zbuloj burimin përveç asaj që thuhet në artikull, por bëhet fjalë për një person që ka dijeni për këtë kontratë dhe hollësitë e saj si dhe mbi përpjekjet lobiste të zhvilluara në këtë rast. Së dyti, artikulli nuk mbështetet vetëm në këtë burim. Ne raportojmë gjithashtu se zyra e senatorit Mike Lee ka deklaruar se fjala ishte për një takim me politikanë shqiptarë dhe nuk kishte të bënte me firmën Dorelita, e cila qëndronte prapa lobimit. Vetë LSI-ja vë në dukje se zoti Tavo ka qenë në SHBA në këtë kohë dhe me sa duket ka qenë i pranishëm në takime. Do të doja të dija se përse ndodhej ai në SHBA”, deklaron Fridman.
Ai hedh poshtë akuzat e LSI-së se është paguar nga paratë e drogës së mazhorancës.
“Nuk kemi komunikuar me Partinë Socialiste. Kur ne po përgatisnim një artikull të mëparshëm në lidhje me Shqipërinë, ne i dërguam pyetje Partisë Socialiste, por nuk morëm përgjigje prej tyre, pra nuk kemi patur komunikime me ta. Ajo që thotë LSI-ja është krejtësisht e rreme. Ne nuk financohemi nga para droge dhe duket se ata po përpiqen të sajojnë. Artikulli ynë është i dokumentuar, pra ne citojmë dokumente të depozituara pranë qeverisë amerikane, ndërsa reagimi i tyre është se ne sajojmë. Përse e bëjnë ata këtë? Përse nuk përgjigjen me vërtetësi për atë që kanë bërë ose nuk kanë bërë?”, vijon ai.
Top Channel