Një projekt i hedhur në kosh nga NASA u mor dhe u studiua prej disa vitesh nga shkencëtarët e Universitetit të Teknologjisë në Dresden të Gjermanisë, që arritën në një përfundim krejt të kundërt me atë që kishin arritur vite më parë studiuesit e agjencisë amerikane.
Bëhet fjalë për sistemin “EMDrive”, i cili nëse funksionon do të mundësonte udhëtimin në hapësirë me shpejtësi që vetëm në filma kemi parë deri më tani.
“EMDrive” vendoset në lëvizje përmes fushës elektromagnetike të prodhuar nga një pajisje e posaçme, që konverton energjinë elektrike në forcë shtytëse pa pasur nevojë për një raketë shtytëse që përdoret aktualisht.
Kur është prezantuar si koncept shumë shkencëtarë e cilësuan një çmenduri dhe të pamundur realizimin e tij, pasi shkonte përkundër ligjeve të fizikës.
Por shkencëtarët gjermanë thonë se ideja që mund të revolucionalizojë udhëtimin në hapësirë, mund të funksionojë me të vërtetë.
“Duhen ndërmarrë testime të mëtejshme për të studiuar mënyrën e ndërveprimit magnetik dhe lidhjet e tyre. Hapi tjetër do të jetë një mburojë magnetike, më tepër testime në vakuum dhe modele më të përparuara EMDrive”, thotë Martin Tajmar, profesor i Universitetit të Dresdenit, që prezantoi punën e tij në Institutin Amerikan të Aeronautikës në Orlando.
Grupi i studiuesve gjermanë thonë se ky sistem udhëtimi redukton në vetëm 4 orë kohën e përshkimit të distancës Tokë-Hënë dhe për 100 vjet për në Alpha Centauri.
Mbi këtë koncept nuk kanë punuar vetëm shkencëtarët gjermanë dhe amerikanë. Britanikët, francezët, kinezët e rusët prej dekadash vijojnë hulumtimet, por asnjëherë nuk kanë përparuar sa pretendimet e studiuesve të Dresdenit.
Top Channel