Duhej të dilte në orët e paradites së kësaj të mërkure me një vendim përfundimtar në lidhje me fatin e gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj.

Por, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shtyrë në momentin e fundit nxjerrjen e vendimit. Shtyrja është bërë për shkak të kohës që kërkohet në llogaritjen e likuiditetiteve në deklaratat e pasurisë së gjyqtares.

“Për shkak të materialeve të dërguara ditën e seancës dëgjimore, në lidhje me likuiditetet që kërkojnë më shumë kohë për llogaritje, seanca për shpalljen e vendimit shtyhet më datë 3 maj 2018”, tha kryesuesja e trupit gjykues të KPK-së, Etleda Çiftja.

Gjatë seancës dëgjimore publike, të mbajtur ditën e hënë, KPK tha se për blerjen e një apartamenti 101 metra/katrorë në Tiranë, Xhoxhaj nuk justifikon të ardhurat prej mbi 4 milionë lekë. Nuk justifikohen gjithashtu, thotë KPK, dy llogari bankare që janë 61 mijë dollarë dhe 15 mijë euro, si edhe kursimet me vlerën e 6 milionë lekëve.

Edhe për truallin në Gjirin e Lalzit dhe një banesë dupleks, nuk dihej burimi i 450 mijë lekëve në këtë investim. Sipas KPK, nga hetimi administrativ gjyqtarja Kushtetuese nuk justifikon gjithashtu edhe shpenzimet ndër vite.

Vetë gjyqtarja nuk foli, por reagoi përmes avokates së saj, menjëherë pas gjetjeve fillestare të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe një ditë më vonë përmes një deklarate për mediat.

Avokatja Shehi thotë se gjyqtarja ka si pasuri pas 24 viteve punë në organet e drejtësisë: gjysmën e një apartamenti prej 59 metrash katrorë në Ishëm të Durrësit, gjysmën e truallit prej 220 metrash katror nën dhe rreth këtij apartamenti.

Sipas avokates, pasuria apartament prej 100 m2 është shlyer plotësisht nga Bashkejetuesi, i cili si subjekt i ligjit për deklarimin e pasurive ka deklaruar dhe provuar burimin e të ardhurave me deklarimet e bëra nisur nga viti 2003.

Në procesin e regjistrimit në Zyrën e Regjistrimit të pasurive të Paluajtshme, gjysma e këtij apartamenti është regjistruar edhe në emër të Altina Xhoxhajt në vitin 2011, si bashkëpronësi e dhuruar nga Bashkëjetuesi me të cilin ka dy fëmijë.

Avokatja zbardh edhe të ardhurat e gjyqtares nga puna në vitet 2003-2016 në shumën 23.4 milionë lekë dhe të ardhurat e bashkëjetuesit për të njëjtën periudhë, në shumën 25.4 milionë lekë si dhe kursimet në formën e depozitës prej 30 mijë dollarësh.

Trupa e KPK-së njoftoi se vendimi do të dalë më datën 3 maj.

Top Channel