Familjarë, miq, të afërm dhe kolegë i dhanë lamtumirën e fundit policit Kastriot Fafaj, cili u vetëvra me armën e shërbimit brenda mjediseve të komisariatit të Fierit.

Familjarët e 46-vjeçarit thanë se prej ditësh ai ishte i ngarkuar emocionalisht për shkak të procesit të vetingut, ndërsa Sindikata e Policisë thotë se qindra efektivë të tjerë janë në stres.

“Niveli i stresit dhe depresionit që përcakton edhe performamcën, vërehet jo vetëm tek oficerët e lartë, por më shumë tek niveli bazë dhe punonjësit e policisë në terren”, thotë Sadetin Fishta, kreu i Sindikatës së Policisë.

Zv.ministri i Brendshëm, Julian Hodaj deklaroi të martën për Top Channel se gjatë plotësimit të formularëve, dokumentet shoqëruese nuk janë kusht, por sindikata ka një tjetër interpretim.
“Neni 33 i ligjit për deklarimin e pasurisë kërkon inventarin dhe dokumenta të noterizuara fotokopje dhe të tjera”, shton Fishta.

5 maji është afati përfundimtar për plotësimin e formularëve të vetingut në radhët e policisë, ndërkohë që pothuajse në të gjithë drejtoritë e qarqeve ka patur dorëheqje që dyshohet të kenë ardhur si pasojë e këtij procesi.

Top Channel