Mohamed Salah ishte protagonisti i ndeshjes Liverpool-Roma, me dy gola dhe dy asist në fitoren 5-2 të “The Reds” në takimin e parë gjysmëfinal të Champions League.
Pas një sezoni të shkëlqyer që edhe tifozët më të zjarrtë të Liverpool nuk e prisnin nga egjiptiani, Salah është në garë për Topin e Artë tashmë. Në Champions ka shënuar 10 gola e ka dhënë 4 asist, ndërsa në total gjatë këtij sezoni, ka shënuar 43 gola në 47 ndeshje të luajtura. Në historinë e Liverpool, vetëm Ian Rush ka realizuar më shumë (47 gola në sezonin 1983-1984).
Ajo që të bën përshtypje është se Salah ka shënuar më shumë në këtë sezon edhe se Cristiano (42) dhe Messi (40). Në 10 vitet e fundit, portugezi dhe argjentinasi kanë ndarë me njëri-tjetrin Topin e Artë. A do të jetë Salah ai që do i japë fund dominimit të tyre? Nëse vazhdon kështu në ato pak ndeshje që kanë mbetur këtë sezon, ka shumë mundësi që po.
Trajneri i Liverpool, Jurgen Klopp u shpreh kështu për sulmuesin e tij: “Fantastik. Në këtë moment po flasim për lojtar të klasit botëror. Po të ishte për mua, do ia jepja Topin e Artë”.
Top Channel