Ruçi, takime me homologët nga Hungaria e Polonia. Merr mbështetje për integrimin

25/04/2018 16:31

Në kuadër të axhendës europiane të Shqipërisë, kryeparlamentari Gramoz Ruçi është takuar me kreun e Asamblesë Kombëtare të Hungarisë, László Kövér, si dhe kreun e Sejmit të Polonisë, Marek Tadeusz Kuchciński.

Gjatë takimit të tij me homologun hungarez u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira politike ndërmjet dy vendeve. Për këtë, Ruçi u shpreh se Hungaria ka qenë dhe mbetet një nga vendet anëtarë të BE-së, e cila mbështet fuqimisht procesin e integrimit të Shqipërisë.

Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Hungarisë, László Kövér u shpreh gjatë takimit se Hungaria, ashtu si edhe më parë, vijon të mbështesë integrimin europian të Shqipërisë.

Kövér u ndal edhe në intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, edhe në fusha të tjera, duke u shprehur se krahas rritjes së shkëmbimeve tregtare, turizmi mbetet një nga sektorët që ofron mundësi të shumta për turistët hungarezë, si dhe për investitorët që duan të investojnë në këtë sektor.

“Të dyja palët janë të gatshme të intensifikojnë më tej dialogun politik nëpërmjet vizitave në nivelet më të larta, si një kontribut i rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushat me interes të ndërsjellë”, u shpreh Kövér.

Pjesë e takimit u bë edhe premtimi i palës hungareze për mbështetjen e anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL dhe në Këshillin e Europës.

Ndërkohë, në takimin me Marek Tadeusz Kuchciński, Ruçi e informoi atë për procesin e Reformës në Drejtësi që është duke ndërmarrë vendi.

Ruçi u shpreh se zbatimi i elementit kyç të Reformës në Drejtësi, që është ligji për “vetting”-un, po bën të mundur verifikimin e rreth 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve, e se për të garantuar një proces sa më transparent, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka shpërndarë ekspertizën e tij të kualifikuar, që do të shoqërojë këtë proces.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë tha gjithashtu se, zbatimi i Reformës në Drejtësi është një rrugëtim i vështirë, por i vendosur, edhe në kuadër të përmbushjes së rekomandimeve të Bashkimit Europian për fillimin e negociatave për anëtarësim.

“Nuk është një rrugë e lehtë, por zgjedhja jonë është e fortë. Ne mbështetemi në shtetet anëtare të BE-së për të na shoqëruar dhe mbështetur në këtë udhëtim të vështirë”, u shpreh Ruçi.

Pjesë e bisedës ishte dhe pjesëmarrja e Polonisë në nismat rajonale në Ballkan, teksa Ruçi e falënderoi homologun Kuchciński për ndihmën dhe praninë e Polonisë në Kosovë, si pjesë e operacioneve të KFOR-it, duke shprehur dëshirën dhe angazhimin e palës shqiptare për një intensifikim të mëtejshëm të marrëdhënieve mes Polonisë dhe Kosovës.

Sa i përket bashkëpunimit ekonomik, në takim u theksua nevoja e rritjes së tij, me Shqipërinë që ofron mjaft mundësi për investitorët polakë, si në turizëm, bujqësi, agro-përpunim, transport dhe energji.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA