Raporti për lirinë e medies nga “Reporterët pa kufij”: Shumë probleme në Shqipëri

25/04/2018 14:43

Raportin e saj mbi lirinë e shtypit e publikoi edhe organizata “Reporterët pa kufij”, me seli në Paris. Ajo e rendit Shqipërinë të 75-tën, që do të thotë një vend më mirë sesa një vit më parë.

Megjithatë, verifikimi i përbashkët i organizatës me seli në Paris dhe “BIRN”-it gjeti shumë probleme në mediet shqiptare. Raporti veçon rastin kur kryeministri Edi Rama sulmoi gazetarët në vjeshtë, duke i quajtur ata “injorantë”, “helm”, “sharlatanë”, e madje edhe “armiq publik”.

Më herët, në raportin e saj më të ri për lirinë e medias, “Freedom House” i renditi Shqipërinë dhe Kosovën në mesin e vendeve “pjesërisht të lira”, së bashku me Maqedoninë, Bosnje-Hercegovinën dhe Malin e Zi.

Sa për Serbinë dhe Kroacinë, ato i konsideron qartazi si “vende të lira”. Organizata që ka analizuar të dhënat nga 195 vende për vitin 2017, i cilëson 88 vende prej tyre si të lira, 59 – siç thotë – janë me liri të pjesshme dhe 49 radhiten në mesin e vendeve jo të lira.

Liria e medias, për “Freedom House” është duke u përballur me kërcënime të reja në demokracitë e mëdha e në shtetet me sundim të fortë, ku autoritetet po përqëndrojnë përpjekjet e tyre në rrjetet sociale dhe platformat e tjera në internet, pas goditjes së pavarësisë së medieve tradicionale.

“Udhëheqësit populistë paraqesin sot një sfidë të re dhe në rritje për lirinë e shprehjes në shoqëritë e hapura, ndërsa ndërhyrja nga Rusia dhe Kina e ka shtuar kërcënimin”, tha Michael J. Abramowitz, president i “Freedom House”.

“Sulmi ndaj lirisë së shtypit është një sulm kundër një institucioni thelbësor të demokracisë. Udhëheqësit e zgjedhur që përpiqen të diskreditojnë raportimin faktik dhe kritik po dëmtojnë llogaridhënien demokratike dhe debatin e arsyetuar politik”, citohet të ketë thënë ai nga “Zëri i Amerikës”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA