Qytetarë pa asnjë shërbim! Një lagje e tërë pa rrugë e ndriçim

25/04/2018 15:32

Lagjes Gërhot në periferi të Gjirokastrës i mungojnë rrugët e brendshme, ndriçimi dhe shërbimet e pastrimit.

Me rreth 5000 banorë, lagjja është krijuar gjatë 2 dekadave të fundit si zonë informale jashtë planeve rregulluese dhe normave të ndërtimit mbi shtratin e përroit të Çullos. Banorët merren kryesisht me aktivitete blegtorale dhe kopshtari.

Fejzo Kusho, që erdhi nga fshati Zhulat e ndërtoi një shtëpi në këtë lagje 15 vite më parë thotë se banorët kanë frikë nga vërshimi i përroit, ndërsa jetojnë në mjedisin më të ndotur në qytet vetëm 300 metra larg vendgrumbullimit të mbeturinave.

“Me atë zhavorrin sipër, janë bllokuar urat e çdo gjë këtu. Djegin atje dhe bëhet këtu tym”, thotë Fejzo Kusho.

Edhe Petriti, ndër të parët që u vendos në Gërhot thotë se në dy dekada shumë pak ka ndryshuar.

“Shërbime jemi tek zero. Na mbytën pisllëqet, rrugë nuk kemi, ndriçim nuk kemi. Kazanë plehrash nuk kemi”, deklaron Petrit Onjea.

Gjeraqina e shpërngulur 6 vjet më parë nga fshati Kolonjë kërkon të paktën ndriçimin e rrugës dhe një zgjidhje për mbetjet.

“Ne kemi paguar vetë me lekë që e hapëm rrugën deri poshtë. Edhe kazanë mbeturinash nuk kemi. Kemi kërkuar disa herë”, thotë Gjeraqina Bajrami.

Shirat e dhjetorit shkarkuan në oborret e shtëpive të banorëve të Gërhotit mijëra ton inerte zall, si dhe dëmtuan seriozisht infrastrukturën rrugore që e lidh këtë lagje me rrugën nacionale.

Më shumë se 60 për qind e banesave në këtë pjesë periferike janë ende të palegalizuara.

Top Channel