Prej 6 javësh Drejtoria për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar vazhdon të mos i pajisë me certifikatë sigurie deputetët e opozitës në Komision. Në denoncimin e tij për median, anëtari Enkelejd Alibeaj tha se kjo po ndodh pa asnjë arsye ligjore dhe për demokratë ky bllokim është me urdhër të Edi Ramës.

“Drejtoria, nën varësinë direkte të Ramës, ka refuzuar zyrtarisht edhe pajisjen tonë me certifikatë provizore sigurie, pavarësisht se kjo është një praktikë normale punë e DSIK-së dhe që jepet brenda ditës‎.

Pa certifikatën e sigurisë, ne nuk mund të shohim dokumentet sekretë që kanë filluar të vijnë nga disa institucione. Pengimi i punës se Komisionit Hetimor është një veprim kriminal, për të cilin Drejtori i DSIK do të mbajë përgjegjwsi! Askush nuk mund të pengojë veprimtarinë e Komisionit Hetimor, edhe kur urdhërohet nga Edi Rama apo mbrohet prej tij.

DSIK, nën varësinë e Edi Ramës, është i njëjti institucion që ka pajisur me certifikatw sigurie brenda ditës Saimir Tahirin, i certifikuar ndërkombëtarisht për trafik ndërkombëtar droge. Me shumë gjasë, Saimir Tahiri duhet ta ketë akoma të vlefshme certifikatën e sigurisë dhe, po të ishte anëtar i komisionit, do të shihte dokumentet sekrete që provojnë se ai ka qenë në dijeni, ka ndihmuar, ka bashkëpunuar dhe ka përfituar nga trafiku i drogës, duke e shndërruar policinë në një organizatë kriminale.

DSIK, që po bën kamikazin politik për Edi Ramën kundër opozitës, ka pajisur më certifikatë sigurie edhe drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit, që sot janë në kërkim ndërkombëtar për të njëjtën vepër penale si Saimir Tahiri, trafik ndërkombëtar droge.

Partia Demokratike i bën thirrje Edi Ramës të heqë dorë ‎nga praktikat e paligjshme të bllokimit të punës së Komisionit Hetimor dhe cenimit të së drejtës kushtetuese të opozitës për kontroll parlamentar!

Edi Rama nuk e shpëton dot Saimir Tahirin! Siç thotë sot gazeta gjermane Die Welt, “Tahiri është një nga ato raste që prishin dhe përcaktojnë imazhin e Shqipërisë në pjesën tjetër të Europës.”, mbyllet deklarata e Alibeajt.

Top Channel