Sot në mbrëmje e gjithë vëmendja do të jetë në “Allianz Arena”, ku Bayern Munchen do të presë Real Madrid në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve.
Për kampionët e rikonfirmuar të Gjermanisë do të jetë mundësia për të marrë revanshin ndaj madrilenëve, pas eliminimit sezonin e kaluar në çerekfinale. Në pankinë, bavarezët këtë radhë kanë Jupp Heynckes, i fundit që eliminoi Realin në vitin 2012. Me rikthimin e tij në stolin e bavarezëve, futbollistët kanë fituar shumë besim. Bayern nuk do të ketë Neuer dhe Arturo Vidal të dëmtuar, ndërkohë që edhe Alaba është në dyshim, por te Bayerni janë të bindur se mund të eliminojnë Realin. Arma më e fortë e bavarezëve është Robert Lewandowski, i cili e di shumë mirë si të hidhërojë spanjollët.
Në krahun tjetër, duket se trajneri Zinedine Zidane ka vendosur të besojë te Benzema për të qenë përkrah Cristiano Ronaldos në repartin e avancuar të kampionëve në fuqi të Evropës, ndërkohë që Bale edhe këtë radhë duket se do ta nisë sfidën nga stoli. Padyshim, kërcënimi më i madh për mbrojtjen bavareze do të jetë Cristiano Ronaldo. Portugezi është në formën më optimale, duke u bërë vendimtar për Realin e Madridit në këtë pjesë të dytë të sezonit. Për më tepër, Ronaldo duket se është pothuajse i vetmi lojtar që shënon gola për Zidane, sidomos në Ligën e Kampioneve ku po thyen çdo rekord. Bayern Munchen është një ndër viktimat e preferuara të Ronaldos, me 33-vjeçarin që ka shënuar 9 gola në 6 përballje me bavarezët.
Top Channel