“Zgjerimi i NATO-s me anëtarë të rinj nga vendet e Ballkanit po minon sigurinë dhe qëndrueshmërinë e rajonit”, deklaroi një anëtare me peshë e Parlamentit rus, e cituar nga “Zëri i Amerikës”.
Duke folur përpara Parlamentit të Bosnjes, Valentina Matviyenko, kryetare e Dhomës së Lartë të Parlamentit rus, veçoi Malin e Zi, që së fundmi u bë anëtar i NATO-s, por kritikoi gjithashtu aspiratat e Maqedonisë për t’u anëtarësuar në aleancën ushtarake të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.
“Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO ra ndesh me vullnetin e praktikisht gjysmës së qytetarëve të saj, duke u bërë shkelja më e ashpër e parimeve bazë të demokracisë moderne”, tha Matviyenko.
“Maqedonia – shtoi ajo, – po përpiqet të bëjë të njëjtin eksperiment të rrezikshëm”, një hap që sipas zyrtares ruse sjell më shumë destabilizim të gjendjes në rajon e minon sistemin e sigurisë europiane.
Mali i Zi u bë pjesë e aleancës më të madhe ushtarake të globit, vitin e kaluar, dhe me orientimin tashmë të qartë drejt Perëndimit shpreson të anëtarësohet në Bashkimin Europian në vitin 2025, në të njëjtën kohë me Serbinë.
Si Podgorica, ashtu edhe Shkupi kanë dëbuar diplomatë rusë pas helmimit me agjent nervor të një ish-agjenti të dyfishtë rus, gjë që bëri që Kremlini të reagonte duke përjashtuar një diplomat malazez e duke thirrur për pyetje zyrtarë të Ambasadës nga Maqedonia.
Gjithashtu, Moska i hedh poshtë si absurde akuzat e Malit të Zi, se një grup nacionalistësh serbë e agjentësh rusë komplotuan për të vrarë ish-kryeministrin Milo Djukanoviç, në një përpjekje për grusht shteti dy vite më parë.
Top Channel