Kastriot Fafaj, polic në Drejtorinë e Policisë në Fier, vrau veten me armën e tij të shërbimit. Ende nuk janë zbardhur arsyet e kësaj ngjarje, por babai i tij fajëson Vettingun dhe kërkesat për të plotësuar shumë dokumente. Ai thotë se i biri kishte frikën se mos humbte punën.

“Kohët e fundit ishte shumë i ngarkuar emocionalisht ishte i stresuar shumë, pasi i kërkonin të gjitha lëvizjet që bëheshin, kërkonin lëvizjet e mia në Greqi, sa pension merrja, ku i kisha dokumentet e tokës. Nuk e dimë nëse ka pasur ndonjë gjë tjetër, ishte njeri i pastër , por mendojmë se e ka pasur nga ngarkesa e shkaktuar”, tha Shyqyri Fafaj, i ati efektivit të vetëvrarë.

Edhe familjarët e tjerë të policit mbrojnë këtë version për ngjarjen

“Po i kërkonin disa dokumente që ishin shumë të tepërta. Ishte shumë i shqetësuar se kishte frikën e heqjes nga puna, jo se kishte ndonjë pasuri, por kishte problemin e dokumenteve. Sot në mëngjes kishte fikur telefonin. Ai ishte njeri i drejtë. Nuk la asnjë mesazh asnjë letër. Nuk kishte asnjë problem tjetër, se nuk po e bënte dot”, tha Hasan Zharaj, i afërm me Kastriot Fafajn.

Problemin e ngarkesave me dokumentet për Vettingun e kanë ngritur edhe sindikata e policisë. Ndërsa në të njëjtën ditë kur ndodhi ngjarja në Fier, zyrtarë të lartë të Ministrisë së Brendshme shpjeguan se nuk duhet të paguajnë për të gjetur dokumentet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA