10 vite më parë ai nisi punën për të sjellë një mozaik prej 100 mijë gurësh, të marrë nga e gjithë bota. Pikënisja ishte një gur i vetëm, ndërsa figura e Abramoviçit, biznesmenit rus dhe Presidentit të klubit anglez të futbollit, Chelsea, ishte krejt rastësore.
Sot, pas shumë vitesh, skulptori Gëzim Hidri e prezanton të përfunduar punën e tij shumëvjeçare.
“Mozaikun, në konceptin e vet, sa kuptova unë në rrugë e sipër sepse është një punë 9-vjeçare e 9 muaj, e kam krahasuar me Luftën e Trojës. Është punuar si qilimi i Penelopit: sot vendos 50 gurë, nesër hiq 70, pasnesër vër 80. Nëqoftëse çdo gur vendoset në kuadratin përkatës, atëherë ai gur merr shkëlqimin e tij”, shpjegon Hidri.
Veç mozaikut, në ekspozitën e çelur në oborrin e Presidencës, Gëzim Hidri prezanton edhe enë të ndryshme prej guri, por ky material i ngurtë në duart e artistit duket thjesht plastelinë që i bindet skulptorit, në formën që dëshiron t’i japë.
“Po të futesh brenda gurit, duhet të kesh durim sepse edhe guri nuk të lejon shumë. Nëse nuk ke durim që daltën ta bësh gishtin e 6 e t’i dëgjosh tingullin, atëherë betejën e ke të humbur. Falë Zotit që ma ka dhënë atë dhunti që t’i jap gurit butësinë e një mëndafshi”, deklaron Hidri.
Ekspozita e Gëzim Hidrit do të qëndrojë e hapur deri në datën 27 prill, në oborrin e Presidencës.
Top Channel