Kryeministri Rama nis një vizitë dyditore në Berlin. Momenti kryesor i kësaj vizite do të jetë takimi me Kancelaren Angela Merkel. Biseda do të fokusohet te pritshmëritë për një vendim pozitiv për hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Në ditën e dytë, Kryeministri Rama do të shkojë edhe në Bundestagun gjerman, institucioni që do të marrë vendimin për hapjen ose jo të negociatave. Është planifikuar një seancë bashkëbisedimi mes Kryeministrit dhe Komisionit të Jashtëm në Bundestag.

E veçanta është se ky Komision drejtohet nga Gunther Krichbaum, ai që ditët e fundit është vënë në qendër të një përplasjeje të re mes kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe Kryeministrit Rama.

Në fundjavë, Basha akuzonte kreun e Qeverisë se po financonte një fushatë denigruese me shënjestër kreun e Komisionit për Çështjet e Europës në Bundestag. Deklarata e Bashës shkaktoi reagimin e Kryeministrit përmes një postimi në Facebook

“Gunther Krischbaum nuk është miku im dhe as nuk hyn ndër dashamirësit e Partisë Socialiste e të qeverisë sonë! Unë nuk jam aspak dakord me opinionin e tij për punën e qeverisë sime dhe këtë ai e di shumë mirë, sepse e ka dëgjuar nga unë, sy më sy dhe jo mbrapa krahëve. Por, zotëria në fjalë ka të gjithë respektin tim për ndihmën që dha kur zotrote bllokoje Reformën në Drejtësi dhe kurrën e kurrës, jo ai po asnjë I huaj I interesuar për Shqipërinë, nuk ka qenë e s’mund të jetë shënjestra e ndonjë sulmi të orkestruar prej meje apo prej Partisë Socialiste. Kurrë!”, u përgjigj Rama.

Këtë të mërkurë, Kryeministri Rama dhe deputeti gjerman do të jenë ballë për ballë për të përplasur argumentet e tyre.

Po kush është Gunther Krichbaum, deputeti i partisë së Merkel, që disa herë ka trazuar politikën shqiptare? Ai mban poste shumë të rëndësishme në partinë e Kancelares, britanikët e quajnë “qen sulmi i Merkel”, etiketim që i ka mbetur nga koha e Brexit. Ai mban disa tituj dhe vlerësime, ndërsa në Shqipëri i janë bërë shumë akuza duke e quajtur antishqiptar, pasi deklaronte se nuk është koha për Shqipërinë dhe se kërkesa e Shqipërisë për hapjen e negociatave është e papjekur.

Akuzohej si proserb dhe për standarde të dyfishta me qëndrimin pro integrimit të Serbisë, edhe pse në atë vend nuk ka nisur një reformë në drejtësi, apo kur kërcënonte Kroacinë që të mos bëhej pengesë për Beogradin. Akuzohet edhe për qëndrime proruse duke arritur deri aty sa te thuhet se është në borderotë e Vladimir Putinit.

Megjithatë, gjithçka pritet të përballet në takimin që do të zhvillohet në Bundstagun gjerman. Vendimi për t’i dhënë Shqipërisë lejen për nisje e bisedimeve do të merret nga Bundstagu, ku roli i Kancelares Merkel dhe i social-demokratëve gjermanë është vendimtar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA