Shumica e fermerëve u penalizuan nga skema e subvencioneve të këtij viti. Fermerë që kanë patur nevojë për para për të nisur sezonin e mbjelljeve nuk kanë pritur shpalljen e fituesve të subvencioneve shtetërore për të mbjellë tokën.
“Kanë marrë materiale mbjellës, fidanë dhe fara borxh tek tregtarët, kanë marrë pleh kimik borxh sepse nuk kanë para për t’i blerë, më idenë se do dalin fitues. Shumë nga këta fermerë do të zhgënjehen sepse nuk do të shpallen fitues”, shprehet Ndoc Fasllia.
Aplikimi online, sipas Ministrisë se Bujqësisë do të lehtësonte dhënien e parave për fermerët por nuk rezultoi e suksesshme. Është pikërisht kjo mënyrë aplikimi që po vonon dhënien e parave tek fermerët.
“Nga njëra anë, aplikim online, nga ana tjetër agjencia detyrohet t’i rikthehet verifikimit të dokumenteve të lëshuara dorazi. Çdo fermer në procesin e aplikimit, ka deklaruar të dhëna që i referohen 5-10 dokumenteve. A janë këto në sistemet dixhitale të institucioneve qoftë certifikatat, qoftë niptet qofte regjistrimit si biznes, në hipoteka? Nuk janë”, thotë Fasllia.
Sipas Ndoc Fasllisë, projekti për aplikimin online duhet të testohej si fillim vetëm në një zonë të Shqipërisë.
“Gradualisht në dy tre vitet që vijnë të ishte shtrirë në gjithë Shqipërinë. Paralelisht me formalizimin e sektorit bujqësor, me dixhitalizimin e gjithë dokumentcionit që lidhet me fermat bujqësore, mund të bëhet edhe aplikimi online”.
Për mbjelljet e reja, skema e këtij viti parashikon rreth 3 milionë dollarë, por ekspertët paralajmërojnë dështim.
Top Channel