Di Francesco beson ende te kualifikimi: Të paktën u zgjuam në fund

24/04/2018 23:52

Trajneri i Romës, Eusebiu Di Francesco e sheh gotën gjysmë plot, pas sfidës së sotme në ‘Anfield Road’, ku verdhekuqtë u mposhtën me rezultatin 5-2.

Vetë tekniku italian pranon se skaudra gaboi shumë, por i kënaqet dy golave të shënuar në 10 minutat e fundit, që mbajnë gjallë shpresat e Romës.

“Sot është e vërtetë që luajtëm shumë dobët dhe humbëm shumë duele me kundërshtarët. Gjithsesi, dy golat e fundit na dhanë shpresë jo vetëm për rezultatin, por edhe për të besuar se nëse luajmë ashtu si në 10 minutat e fundit, mund t’ia dalim të kualifikohemi”, tha Di Francesco.

Tekniku i verdhekuqve theksoi se skuadra e tij sot nuk ishte e bashkuar në fushë dhe tregoi mangësi fizike, në krahasim me kundërshtarin. Ai nuk pranoi të bëjë paralelizëm me takimin kundër Barcelonës, por theksoi se futbolli është i tillë që shpërblen ata që besojnë se mund t’ia dalin.

“Nuk do të jetë një ndeshje e ngjashme me atë ndaj Barcelonës, pasi janë dy skuadra të ndryshme për mënyrën e lojës. Gjithsesi ne duhet të besojmë për kualifikimin, pasi futbolli është një sport që shpërblen ata që i shkojnë gjërave deri në fund dhe nuk dorëzohen”, deklaroi trajneri i Romës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA