Po shkonte gjithçka drejt një barazimi pa gola, por teksa ishte duke u luajtur minuta e 94 e ndeshjes, Bruno Dita i shënon Partizanit, duke i dhënë 3 pikët Skënderbeut.
Fillimi i takimit ishte mjaft i vrullshëm për Partizanin, që brenda 20 minutave të para kërcënoi të paktën 3 herë rrezikshëm portën e korçarëve. Fillimisht Abdurrahimi dhe më pas Asani e Progni, vunë në provë aftësitë e portierit Teqja, që tregoi se është në lartësinë e duhur për të zëvendësuar Shehin në katërkëndëshin e portës.
Nga ana tjetër, mungesa e James dhe Sowe ndihej shumë te Skënderbeu, që nuk kishte një sulmues të mirëfilltë në sulm, për t’i dhënë frymëmarrje lojës dhe për të mbajtur larg kundërshtarin. Herë Nimaga dhe herë Vila alternoheshin në qendër të sulmit, por dukej qartë që nuk kishin lidhje me atë pozicion.
Pjesa e parë u mbyll me dominimin e Partizanit, si territorial, ashtu edhe në raste për gol, ndërsa korçarët u mbajtën mirë, duke ulur ritmin dhe duke mos nxjerrë topin nga rrjeta.
Ndryshe nga 45-minutëshi i parë, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për pjesën e dytë, ku skuadrat ndjenë lodhjen në këmbët e tyre dhe nuk arritën të ishin aq të rrezikshëm në portat respektive.
Gjithsesi, Skënderbeu u bë më kërkues në 10 minutat e fundit të sfidës dhe u shpërblye në minutën e dytë shtesë, kur pas ekzekutimit të një faulli dhe një rrëmuje në zonë, ishte Bruno Dita ai që gjuajti dhe dërgoi topin në rrjetën e portës së Alban Hoxhës.
Kjo humbje e zbret Partizanin në vendin e katërt, 2 pikë larg Luftëtarit të vendit të tretë, i cili është në kuotën e 47 pikëve.
Ndërkohë, Skënderbeu nëse merr pikë në ndeshjen e radhës ndaj Kukësit, do të zyrtarizonte edhe çështjen e titullit kampion.
Top Channel