Reforma e pensioneve në Nikaragua, protestat e dhunshme ndalin qeverinë

23/04/2018 08:25

Presidenti i Nikaraguas, Daniel Ortega hoqi dorë nga ndryshimet e ligjit për sigurimet shoqërore që shkaktuan protesta të dhunshme në të gjithë vendin.

Gjatë një fjalimi në televizionin kombëtar, Ortega nuk pranoi disfatën para protestës mbarëpopullore, por i bëri thirrje sektorit privat që të angazhohet në bisedime. Por, liderët e biznesit thonë se do të negociojnë vetëm kur qeveria të ndalojë shtypjen e protestave.

Të paktën 25 persona janë vrarë që të mërkurën në protestat që nisën në të gjithë vendin dhe që u udhëhoqën nga pensionistët e studentët. Më shumë se 100 të tjerë janë plagosur, ndërsa njerëzit protestojnë kundër planit të qeverisë që rrit kontributet e detyrueshme, por pakëson me 5% përfitimet.

Protestat ishin sfida më e madhe ndaj pushtetit të Ortegës që prej vitit 2007, kur ai u bë President për herë të parë dhe duket se këtë përballje e humbi.

“Vendimi i 16 prillit që solli këtë situatë kaotike është kthyer mbrapsht, është anuluar, nuk ekziston më. Çështja e reformës së sigurimeve shoqërore do të debatohet sërish, pasi situata të jetë qetësuar”, deklaroi Ortega.

Protestat masive dhe rezistenca popullore detyruan Ortegën që të bëjë hapa pas. Sidomos edhe pas vrasjes së gazetarit Angel Gahona në transmetim të drejtpërdrejtë ndërsa mbulonte protestat, diçka që shtoi zemërimin popullor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA