Është e dielë, 22 prill, dita e tokës. Një grup i njerëzve të medias dhe aktivistë të shoqërisë civile janë bërë bashkë për të provuar sportin e aventurës, rafting, në atë që shumë e kanë quajtur si Disneylandin e natyrës, Kanionin e Osumit.
Top Channel ka qenë i pari që ka bërë publik në shkurt të këtij viti koncesionin e fshehur për ndërtimin e hidrocentraleve në këtë kanion, të shpallur monument natyre. E më pas ka pasur një solidarizim nga shumë media dhe aktivistë, të cilët e kanë mbrojtur me forcë mosprekjen e kësaj pasurie natyrore.
“Këtu gjen një kanion që është dy deri në tre million vite. Është përherë I gjelbëruar, në çdo stinë të vitit. Ka vende të cilat herë pas here janë emërtuar edhe nga ne, edhe nga turistët, si katedralja, porta e djallit, ishulli, ujavara e shpampanjës, ujvara e të dashuruarve,” thotë Blerina Ago, eksperte turizmi.
Të bësh rafting në këto kohë është kthyer edhe në stil jetese dhe një gjë që rëndom e quajmë cool. Kryesisht ky kanion vizitohet nga të rinjtë, e sidomos vajzat. Vizitorët shohin kanionin, bëjnë ciklizëm, hiking, rafting, kanotazh, kanioning etj. Bëhemi gati për të përjetuar aventuar, por më parë informohemi për sigurinë.
“Duhet të vishni tutat neoprene, patjetër një xhup, i cili është termik, sepse të mbron nga era. Duke qenë se kanioni është shumë i ftohtë. Është i detyrueshëm edhe jeleku i shpëtimit.Dhe skafanda,” Zamo Spathara, President i Federatës Shqiptare të Rafting.
Pas instruksioneve se si duhet të veprojmë ndërmarrim udhëtimin tonë të aventurës nëpër kanion. Ndër tetë ujvarat ekzotike, vizitojmë edhe ujvarën e Bigazit, një ndër tre të rriskuarat nga ndërtimi i HEC/eve.
Pas gati dy orësh kemi mbërritur në Çorovodë. Kemi fituar një ekperiencë të paharueshme, sidomos për një pjesë të mirë nga ne që e kishte për herë të parë.
“Është një ndër të paktat raste kur gjithë mediat në një farë sensi janë solidarizuar. Të arrijmë që kjo cështje të zgjidhet, sepse është në cështje gjykate akoma. Të shpresojmë që të zgjidhet deri në fund. Dhe kjo pasuri tju mbetet qytetarëve të shqipërisë dhe turistëve,” thotë Arbër Çepani, aktivist i shoqërisë civile.
“Janë 17 mijë njërëz në një sezon normal. Mund të dyfishohet. Praktikisht ky
është një kapital i jashtëzakonshëm për të gjithë zonënë. Dhe këta duan që gjithë këtë kapital ta kthejnë në një katastrofë mjedisore. Unë e pashë konkretisht se ku ishin burimet dhe nëse ti ve digën tek ujvara praktikisht nuk funksionon më,” shprehet Ervin Goci, aktvist i shoqërisë civile.
Kanionet mbetën ndër të paktat raste ku pasuritë natyrore janë ende në shërbim të publikut. Prandaj edhe një udhëtim i tillë përfshiu edhe më shumë aktorët e angazhuar në mbrojtje të tyre.
Top Channel