Argumentin për qëndrimin pesimist dhe ngurrues për çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, deputeti gjerman, Gunther Krichbaum e ilustron me një imazh tipik nga salla e parlamentit shqiptar.
Krichbaum ka postuar në rrjetet sociale një artikull të publikuar në versionin online të “Der Tagesspiegel”, e cila e shoqëron shkrimin me një foto të shkrepur nga seanca parlamentare e 12 prillit, ku opozita hodhi miell në drejtim të Kryeministrit Rama.
“Në këtë fazë, mendoj se hapja e negociatave me Shqipërinë është e parakohshme. Korrupsioni në nivelet e larta dhe krimi i organizuar janë problemet kryesore të vendit”, thotë Krichbaum për median gjermane.
Në artikull, “Der Tagesspiegel” kujton se pikërisht ky qëndrim i deputetit të CDU-së e ka vënë atë në qendër të kritikave nga disa media në Shqipëri.
“Qëndrimi kritika i Krichbaum për Shqipërinë e kanë e kanë bërë atë shënjestër të disa mediave pranë Kryeministrit Edi Rama, të cilat mes të tjerave e akuzojnë atë se po vepron në emër të interesave ruse”, thuhet në artikullin e publikuar në versionin online të “Der Taggesspiegel”.
Për Krichbaum, Rama dhe Basha u përplasën në distancë të shtunën.
“Me sulmet ndaj Krichbaum, Edi Rama vetëm sa po shton radhët e deputetëve gjermanë në Bungestag që janë pesimistë për hapjen e negociatave me Shqipërinë, vota e të cilëve është e domosdoshme para se qeveria gjermane të japën vendimin e saj për Shqipërinë”, deklaroi përmes rrjeteve sociale, kreu i PD-së.
Akuzat nuk e lanë indiferent Kryeministrin. Rama thekson se nuk e ka mik dhe se Krichbaum as nuk është dashamirës i partisë dhe qeverisë socialiste, por mohon të jetë angazhuar në fushatë kundër tij. Një mirënjohje në të shkuarën e ruan ende.
“Unë nuk jam aspak dakord me opinionin e tij për punën e qeverisë sime dhe këtë ai e di shumë mirë, sepse e ka dëgjuar nga unë, sy më sy dhe jo mbrapa krahëve. Por, zotëria në fjalë ka të gjithë respektin tim për ndihmën që dha kur zotrote bllokoje Reformën në Drejtësi dhe kurrën e kurrës, jo ai po asnjë i huaj i interesuar për Shqipërinë, nuk ka qenë e s’mund të jetë shënjestra e ndonjë sulmi të orkestruar prej meje apo prej Partisë Socialiste. Kurrë!”, thotë Kryeministri.
Top Channel