Ministria izraelite e mbrojtjes mohoi zërat se agjencia e spiunazhit Mossad vrau një intelektual të Hamas, i cili u qëllua për vdekje në Malajzi të shtunën. Ministri Avigdor Lieberman, tha se 35-vjeçari Fadi al-Batsh, duket të jetë vrarë si pasojë e probleme të brendshme palestineze.
Në një skenar të denjë për filmat me spiunazh e aksion, dy agresorë të armatosur mbi një motor hapën zjarr 10 herë ndaj anëtari të Hamas në një rrugë në kryeqytetin malajzian Kuala Lumpur, duke e vrarë në vend.
Fadi al Batsh ishte një inxhinier i njohur elektrik dhe jepte mësim në Malajzi, ku jetonte prej 10 vjetësh. Familja e tij akuzoi spiunazhin izraelit për vrasjen, megjithëse vetë grupi Hamas, ku Fadi al Batsh bënte pjesë, nuk e përmendi kurrë emrin e Mosadit. Autoritetet malajziane, që befas gjenden të përfshira në këtë situatë, thanë se ngjarja po hetohet dhe për momentin nuk ka asnjë të dyshuar apo të arrestuar.
Duke hedhur poshtë akuzat ndaj Izraelit, ministri izraelit i mbrojtjes, Lieberman tha se viktima nuk ishte një njeri i shenjtë. Sipas Lieberman ai nuk merrej me përmirësimin e rrjetit elektrik, por me ndërtimin e raketave për Hamas. Lieberman tha se grupet terroriste e kanë zakon që të fajësojnë Izraelin kur lajnë hesapet me njëri-tjetrin.
Top Channel