Prangoset deputeti i opozitës në Armeni, vendi në protesta

22/04/2018 13:55

Situata në Armeni është përshkallëzuar me prangosjen e deputetit opozitar të vënë në krye të protestave disa ditore kundër qeverisë së vendit. Nikol Pashinyan, u shoqërua nga efektivët pasi kryeministri Serzh Sargsyan, të cilit i kërkohet dorëheqja, ndërpreu në mënyrë të bëftë përballjen televizive mes të dyve.

Pashinyan ndodhet në një komisariat policie të Jerevanit. Gjatë konfrontimit të shkurtër televiziv me shefin e ekzekutivit ai këmbënguli që ky i fundit të lërë postin, por Sargsyan iu përgjigj se po shantazhohej dhe u ngrit e doli nga studioja. Opozita armene argumenton se ndryshimi i bërë kushtetutës së vendit është një përpjekje e Sargsyanit për të mbajtur pushtetin.

Masa e miratuar nga Parlamenti të martën, forcon ndjeshëm rolin e Kryeministrit, të cilin ai e mori vetëm javën e kaluar pasi dha dorëheqjen si president duke qenë se e kishte përmbushur afatin e dy mandateve.

Pashinyan e ka përshkruar së fundi fushatën që drejton si një “revolucion të kadifenjtë“, duke iu referuar protestave paqësore të vitit 1989 që rrezuan regjimin komunist në Çekosllovaki. Aktivisti veteran i opozitës, është burgosur dikur për rolin e tij në protestat kundër Sargsyanit në 2008-ten, u ka bërë thirrje mbështetësve të tij të “paralizojnë të gjithë sistemin shtetëror”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA