Një gomone me një ton kanabis është sekuestruar dhe një skafist shqiptar është arrestuar në brigjet e Leçes në Itali.
Falë bashkëpunimit operativ, tashmë të qëndrueshëm, mes Autoriteteve të Policisë shqiptare, Grupit Detar të Guardia di Finanza, të stacionuar në Durrës dhe Zyrës Ndërlidhëse policore shqiptare, u koordinua dhe finalizua goditja e radhës kundër trafikimit të narkotikëve.
Operacioni nisi pasditen e të shtunës dhe u ndalua një gomone në zonën e Leçes. Trafikantët gjatë ndjekjes me helikopterë të Frontex dhe mjete detare, e hodhën drogën në det, por ajo u rikuperua nga Guardia di Finanza e Salentos.
Afër brigjeve italiane, skafistët u përpoqën të largoheshin dhe u hodhën në det, por gjithsesi forcat italiane kanë arrestuar shtetasin M.Nazëraj 34 vjeç, nga Fieri dhe shpallur në kërkim bashkëpunëtorin e tij.
Mes forcave policore prezente në dy vendet, vijon puna dhe shkëmbimi intensiv i informacioneve për hetimin e plotë të rastit.
Top Channel